Omer Muhameti - Foto: KALLXO.com

Paraburgim ndaj babait të të dënuarit për plagosjen e ish-vjehrrit në Dragash, kanosi viktimat brenda sallës së Gjykatës

 

Nehar Muhameti po dyshohet se ka kanosur ish-mikun dhe ish-gruan e djalit të tij brenda objektit të Gjykatës së Prizrenit, saktësisht në sallë të gjykimit.

“Na shihemi apet”– është një fjali që pretendohet se e tha babai i të dënuarit nga shkalla e parë në Prizren, Omer Muhametit, i akuzuar për plagosjen që ndodhi në prill të këtij viti (26.04.2024) në Dragash.

Kjo u konsiderua si kërcënim nga Kadri Qusaj e vajza e tij, të cilët ishin prezentë në sallën ku u mbajt seanca gjatë të cilës u shpall aktgjykimi dënues për Omer Muhametin.

Prokuroria e Prizrenit ka kërkuar paraburgimi për Nehar Muhametin i cili po dyshohet se i kanosi viktimat.

Lidhur me kërkesën e Prokurorisë, gjyqtarja Vjollca Buzhala më datë 31.07.2024 mori vendim që të pandehurit Nehar Muhametit t`i caktohet paraburgimi.

Masa e paraburgimit ndaj të pandehurit Nehar Muhameti u caktua në afatin prej një muaji.

Në shkresat e lëndës thuhet se i pandehuri Nehar Muhameti pas shpalljes së aktgjykimit dënues ndaj djalit të tij, në shenjë revolte, ngritet në këmbë dhe me gisht tregues i drejtohet të dëmtuarve “me ju kam punë”, do të shihem prapë”, “na shihemi apet”.

Ndër të tjerash, Gjykata i ka konsideruar fakte të cilat kanë përmbushur kushtet për caktimin e masës së paraburgimit.

KALLXO.com ka të incizuar me zë momentin i cili pretendohet se u tha brenda sallës në të cilën u mbajt seanca për shpalljen e aktgjykimit dënues ndaj Omer Muhametit të martën më 30.07.2024.

Aty dëgjohet H. Q. duke iu kthyer babait të të dënuarit Omer Muhametit me fjalët: “Hej, hej!”

E më pas në vazhdimin e audio-incizimit dëgjohet edhe prokurori Mehdi Sefa derisa e udhëzon viktimën ta raportojë rastin në Polici.

Kujtojmë se KALLXO.com kishte raportuar për rastin e plagosjes në Dragash në prill të këtij viti që i kishte paraprirë një kërcënim me plumb në kokë nga ana e Omer Muhametit drejtuar ish-bashkëshortes së tij (vajzës së Kadri Qusajt).

Muhameti është ish-dhëndër i Qusajt ndërsa në seancën e prillit ata ishin takuar për vendosjen e besimit të fëmijës që Muhameti e ka me ish-bashkëshorten.

Më 24.04.2024 palët ishin ftuar në gjykatë për një çështje të besimit të fëmijëve. Në korridorin e gjykatës Omer Muhameti është filmuar tek paraqet kërcënime serioze ndaj ish-gruas së tij H. Q.

Aktakuza ndaj Omer Muhametit u ngrit pak ditë pasi KALLXO.com publikoi hulumtimin që fliste për plagosjen në Dragash.

Hulumtimi i KALLXO.com flet për neglizhencën e Policisë për të ndaluar një person, konkretisht Omer Muhametin, i cili para se të hynte në një seancë për besimin e fëmijës me ish-bashkëshorten e tij H. Qusaj, ai e kishte kërcënuar këtë të fundit me fjalët: “Ke me hi nën tokë, kam me ta q* familjen, ke me pa kush jam unë e kush je ti”.

Lidhur me rastin në fjalë raportimet e KALLXO.com mund t’i gjeni në këtë – LINK.