Foto: Ilustrim

Paraburgim 30 ditor të pandehurit I.G., që shkaktoi aksident trafiku

Gjykata Themelore në Prizren i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh të pandehurit me inicialet I.G., i cili më 15 korrik të këtij viti, në kundërshtim me Ligjin për Rregullat e Trafikut Rrugor dhe duke mos e përshtatur shpejtësinë ndaj kushteve dhe rrethanave të rrugës, humb kontrollin e automjetit duke e goditur automjetin e të dëmtuarit M.N., i cili si pasojë e lëndimeve të rënda trupore  është në gjendje të rëndë shëndetësore në trajtim intensiv në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Aksidenti ka ndodhur në autostradën “Ibrahim Rugova” mes Suharekës e Prizrenit.

Nga faktet e mbledhura, sipas Gjykatës Themelore në Prizren, i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale ‘rrezikimi i trafikut publik’.

“Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurit I.G., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore në Prizren.