Paraburgim 30 ditësh të dyshuarit për dhënie ryshfeti

Gjykata e Prizrenit ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, për caktimin e masës prej 30 ditëve paraburgim ndaj të pandehurit R.S. nën dyshimin e bazuar se ka kryer veprën penale dhënia e ryshfetit, e sanksionuar me neni 422 të Kodit Penal të Kosovës.

Sipas Komunikatës, Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurit R.S., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit.

“Me datë 9 mars, në orët e mbrëmjes në pikën kufitare në Vërmicë, i pandehuri R.S., me t’u afruar te sporteli i kontrollit policor, pasi ia dorëzon dokumentet zyrtarit policor, në lejen e qarkullimit të automjetit e kishte futur një kartëmonedhë prej 20 € (njëzet eurosh) dhe i pandehuri i drejtohet zyrtarit policor me fjalët ‘këto të holla i kam lënë për ju, për qejf, për të pirë një kafe dhe për të më mundësuar ta kalojë kufirin meqë ndërrimi paraprak policor më ka refuzuar hyrjen’, me ç’rast i pandehuri R.S., ndalohet nga policia ku edhe i është sekuestruar përkohësisht kartëmonedha në shumën prej 20 € (njëzet eurosh)”, thuhet në komunikatë.

Sipas njoftimit gjyqtarja e procedurës vlerëson se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit.

“Duke u bazuar në provat e mbledhura deri në këtë fazë siç është deklarimi i të pandehurit i cili i ka pranuar veprimet e tij, si dhe duke pasur parasysh denueshmërinë e kësaj vepre penale si dhe faktin se i pandehuri nuk ka vendbanim as vendqëndrim në Republikën e Kosovës, i njëjti është shtetas i Republikës së Shqipërisë, prandaj nëse i njëjti lihet në liri apo me ndonjë masë më të butë se sa caktimi i paraburgimit i pandehuri mund të ikë apo të largohet nga Kosova”, thuhet në komunikatë.

Sipas Gjykatës, caktimi i masës prej 30 ditëve ka qenë i domosdoshëm për rastin në fjalë.

“Gjykata ka ardhur në përfundim se në rastin konkret masa e paraburgimit është më e domosdoshme dhe i shërben efikasitetit të procedurës penale, dhe caktimi i çfarëdo mase tjetër më të butë nuk do të arrinte efektin e duhur ngase i pandehuri është shtetas i Republikës së Shqipërisë dhe se në Republikën e Kosovës nuk ka vendbanim apo vendqëndrim të caktuar”, thuhet tutje në njoftim.