Ilustrim - Logot e partive politike kosovare

Para zgjedhjeve në Podujevë, partitë garuese i paguajnë gjobat në PZAP

Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës, i kanë paguar të gjitha gjobat që i detyroheshin Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, para zgjedhjeve në Komunën e Podujevës që do të mbahen me 15 mars.

Kështu ka bërë të ditur për KALLXO.com, kryesuesi i Sekretariatit të PZAP-it, Mulë Desku.

Sipas tij, për zgjedhjet e Parakohshme për Kuvend të Kosovës të 6 tetorit 2019, PZAP-i kishte shqiptuar gjoba ndaj subjekteve politike për shkelje gjatë fushatës.

“PDK-ja është gjobitur në shumë prej 100 mijë e 100 euro,  i ka paguar të gjitha gjobat. LDK-ja është gjobitur në shumë prej 74 mijë e 850 euro, i ka paguar të gjitha gjobat dhe Lëvizja Vetëvendosje është gjobitur në shumë prej 14 mijë e 100 euro, i ka paguar të gjitha gjobat”, thuhet në përgjigjen e tij.

Desku tutje ka deklaruar se këto tri subjekte i kanë paguar borxhet dhe mund të certifikohen nga KQZ-ja për të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës në Podujevë.

Ndërkaq, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka thënë për KALLXO.com se një subjekt politik për t’u certifikuar për të marrë pjesë në zgjedhje, duhet të plotësojë një numër kushtesh të cilat i parasheh ligji për zgjedhjet e përgjithshme.

“Një nga këto kushte është edhe shlyerja e gjobave. Për këtë qëllim kemi kërkuar konfirmim me shkrim nga ana e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa se nëse subjektet politike që kanë aplikuar kanë paguar plotësisht gjobat nga cilatdo zgjedhje të mëparshme”, është shprehur Elezi.

Kurse, Mulë Desku ka thënë për KALLXO.com se KQZ-ja ne vazhdimësi është e njoftuar nga PZAP, me informatat e azhurnuara lidhur me gjobat e paguara dhe të pa paguara të subjekteve politike nga zgjedhjet e kaluara.

Kandidatët për të parin e Podujevës janë Nexhmi Rudari nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Shpejtim Bulliqi nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Naim Fetahu nga Partia Demokratike e Kosovës.

Podujeva do të shkojë në zgjedhje pasi kryetari i deritanishëm i kësaj komune, Agim Veliu është emëruar ministër i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike në Qeverinë Kurti.

Vetëm 3 parti kandidojnë në zgjedhjet e Podujevës