Para zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut, Zijadin Sela takohet me Albin Kurtin

Njëri nga udhëheqësit të koalicionit të Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës, Zijadin Sela, gjatë ditës së sotme është takuar me kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin dhe udhëheqës tjerë të kësaj partie.

Sela ishte i shoqëruar nga kryetari i Gostivarit, Arben Taravari, anëtari i kryesisë së AA, Zeqirja Ibrahimi dhe veprimtari Bekim Qoku.

Sipas njoftimit të Lëvizjes Vetëvendosje, në takim u shkëmbyen përvoja e ide të rëndësishme për shqiptarët dhe rajonin.

“Kryetari i ASH, Zijadin Sela shprehu optimizmin e tij për rezultatin zgjedhor duke vënë në pah organizimin dhe vendosmërinë e votuesve shqiptarë në RMV për ndryshim, pas 18 vitesh me subjektet e vjetra. Kryetari i AA, Afrim Gashi shprehu nevojën për një përfaqësim cilësor të shqiptarëve, të cilët nuk duhet të reduktohen në numra e poste, por duhet të çojnë përpara edhe programin ekonomik, social, arsimor e kulturor në të mirën e shqiptarëve”, thuhet në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Zgjedhjet e parakohshme paralamentare në Maqedoninë e Veriut do të mbahen me 15 korrik të këtij viti.