Ilustrim

Para zgjedhjeve, kryetarët e komunave ndajnë mijëra leje për ndërtim

Tre muaj para se të mbahen zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut, një pjesë e komunave kanë ndarë katërfish më shumë leje për ndërtim nga sa ndahen zakonisht.

Në bazë të të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, gjatë muajit korrik të këtij viti, janë miratuar 1,945 leje për ndërtimin e banesave, në një sipërfaqe prej 150,000 metrave katrorë, ndërkohë që gjatë dekadës së fundit, brenda këtij muaji, mesatarisht janë dhënë 500 ose 600 leje për ndërtimin e banesave, që përfshinin një sipërfaqe prej 40,000 deri në 50,000 metra katrorë.

Mbi 70 për qind e këtyre banesave, do të ndërtohen në rajonin e Shkupit, përkatësisht 1,397. Më shumë leje për ndërtim, kanë dhënë kryetarët e komunave të cilët nuk do të futen në garë për të marrë besimin e elektoratit edhe për një mandat. Bëhet fjalë për Komunën e Aerodromit, atë të Qendrës dhe Karposhit komuna këto që janë pjesë përbërëse e kryqytetit maqedonas, Shkupit.

Partia maqedonase në pushtet, Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM), vendosi që në këto komuna të mos i rikandidojë kryetarët aktualë të komunave, përkatësisht në Aerodrom krytarin aktual, Zllatko Marin, në Qendër, Sasha Bogdanoviqin dhe në Karposh, Stefan Bogoevin.

Qytetarët thonë se nuk janë kundër ndërtimeve të reja në lagjet ku jetojnë, por janë kundër ndërtimeve që uzurpojnë parkingjet dhe hapësirat e gjelbëruara.

“Pesëmbëdhjetë kate nëse do të mundnin të ndërtonin këtu në mesin e ndërtesave ekzistuese, do t’i bënin, askush nuk pyet se si ecim ne, mendoj se si pengohemi në çdo të dytin hap pasi trotuaret, në mungesë të parkingjeve, i kanë zaptuar veturat. Kjo është johumane për banorët e Shkupit”, thotë Nikolla Pandevski, banor i lagjes së Karposhit.

Nga ana tjetër Nevzati, si pensionist, preferon të lëvizë me biçikletë, por në mungesë të hapësirave, jo rrallë ka qenë para rrezikut që të shtypet nga ndonjë makinë.

“Këtu në Shkup jetoj që 70 vjet. Por, kohën e fundit dëgjojmë se çdo ditë makinat kanë shkelur ndonjë njeri. Njerëzit s’kanë ku ecin prej ndërtesave të shumta”, thotë ai.

Petar Goshev, i cili për një kohë të gjatë ka qenë pjesë e politikës, thotë për Radion Evropa e Lirë se themelet e planit urbanistik në çdo komunë, janë rrënuar si pasojë e vendosjes në plan të parë të interesave të drejtuesve politikë dhe jo organizmit të një jete më cilësore për qytetarët.

“Maqedonia ka hequr dorë nga një planifikim urbanistik në momentin që i lejoi politikës të ndërhyjë në këtë segment. Do të duhet të kërkohet përgjegjësi, sepse dëmet që i bëhen ambientit, hapësira e pamjaftueshme për qarkullimin e ajrit, sjell deri te rritja e shkallës së vdekshmërisë. Nga viti në vit ndahen më shume leje për ndërtim pasi askush nuk përgjigjet për dëmet që shkaktohen me ekspansionin e ndërtimeve”, thotë Goshev, duke apostrofuar si burim të problemit zgjedhjen e arkitektëve të komunës, të cilët zgjidhen po nga partitë që e përbëjnë shumicën në asambletë komunale.

“Këtu fillon kaosi përmes korrupsionit dhe ryshfetit, imponohet ndryshimi i planit detal urbanistik dhe më pas mosrespektimit të mjeteve, pasi kush vjen në krye të komunës i ndryshon në përputhje me interesat e tij”, thotë Goshev.

Por, Marin Panovski, akitekt, thotë se ndërtimi i banesave imponohet nga kërkesa. Panovski thotë se tani jepen më shumë leje për ndërtimin e banesave, pasi ndërtohen objekte të mëdha që në vete përfshijnë më shumë banesa.

“Meqë ndërtohet në vazhdimësi, kjo do të thotë se ka kërkesa për të njëjtat në treg. Marrë parasysh se në Komunën Qendër nuk është ndërtuar për tre vjet, për shkak të moratoriumit, është e logjikshme që tani të ndahen më shumë leje për ndërtim”, thotë Panovski.

Por, nga sektori civil thonë se lejet për ndërtime që jepen në prag të zgjedhjeve, ndërlidhen me blerjen e votave dhe përfitimet personale të strukturave udhëheqëse pa çarë kokën për cilësinë e jetesës së qytetarëve.

“Nuk është e rastit që vetëm për tre muaj katërfishohet dhënia e lejeve sepse normalisht, pasi kryetarët në një farë mënyre presin momentin që të bëjnë presion për t’i konvertuar në vota”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Arianit Xhaferi nga organizata joqeveritare ECO GUERILA.

Ai, duke komentuar mungesën reagimit të qytetarëve ndaj këtij fenomeni, thotë se gjendja ekonomike në vend nuk lejon që të mendohet për cilësinë e jetesës sepse pjesa më e madhe e qytetarëve të rëndësishëm e kanë sigurimin e kulmit mbi kokë pa i kushtuar shumë vëmendje cilësisë së ndërtimeve dhe veçanërisht ambientit përreth banesave.

Maqedonia e Veriut do të mbajë zgjedhjet lokale më 17 tetor./REL