Para zgjedhjeve, Haradinaj i rikthehet kauzës së Çakorrit

Kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj, sot ka vendosur lule pranë varrit të Zeqir Dreshajt, ki cili ishte kryeplaku i fshatit Kuqishtë, që shtrihet në brezin kufitar me Malin e Zi.

Haradinaj tha se “amaneti i bacës Zeqë do të jetësohet”, i cili ishte njeriu që u bë zëri i rugovasve në mbrojtje të së drejtës në tokën e tyre dhe kufirit të Kosovës.

“Ne kemi arritur që ta mbrojmë tokën tonë me të drejtën e korrigjimit të sektorëve në drejtim të Kullës e Çakorrit dhe me Kryeministrin e Malit të Zi, jemi dakorduar që Komisionet Ndërshtetërore të fillojnë punën në afat optimal. Këtë ia kemi borxh Kosovës, burrave si Zeqir Dreshaj dhe rugovasve” ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Qeveria Haradinaj i hapi rrugë  ratifikimit të marrëveshjes për demarkimin e kufirit me Malin e Zi e cila zonën e Çakorrit e vendosë në territorin e Malit të Zi. Haradinaj është arsyetuar me një klauzolë me të cilën kërkon që dy shtetet të ri diskutojnë vijat kufitare në terren. Procesi i zotuar nga Haradinaj nuk ka filluar edhe pse kanë kaluar më shumë se një vit që kur kuvendi radifikoj marrëveshjen e demarkacionit.