Para takimit në Bruksel, Hoti takon përfaqësuesit e institucioneve për personat e zhdukur

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka bërë të ditur se në prag të takimit të së enjtes në Bruksel, që do të mbahet me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, sot i ka takuar përfaqësuesit e institucioneve për çështjen e të zhdukurve.

Hoti në Facebook ka shkruar se me përfaqësuesit e këtyre institucioneve kanë biseduar për zhvillimet e deritanishme në procesin e gjatë e të vështirë të të pagjeturve, “për sfidat aktuale në këtë proces dhe për synimet e mëtejme në përshpejtim dhe përfundim të procesit”.

Sipas Hotit, në këtë takim, të pranishëm ishin kryesuesi i delegacionit të Kosovës në Grupin punues për çështjen e zhdukurve, Ibrahim Makolli, kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Prenk Gjetaj, shefi i Misionit të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në Kosovë, Agim Gashi dhe përfaqësuesi i Këshillit koordinues të asociacioneve të familjarëve të të pagjeturve, Ahmet Grajqevci.

Përfaqësues të personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë, në vazhdimësi kanë kërkuar që zbardhja e fatit të tyre të kërkohet në kuadër të dialogut me Serbinë.