Para nisjes së dialogut, Lajçak pret në Bruksel Skender Hysenin dhe Marko Gjuriqin

I emëruari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka dhënë detaje rreth takimit të sotëm në nivel ekspertësh nga të dyja vendet, në Bruksel.

Lajçak përmes Twitter ka njoftuar se këtë mëngjes ka takuar koordinatorin shtetëror për dialogun Skender Hysenin dhe shefin e zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

“Sot, ne vazhdojmë diskutimet tona politike në nivelin e ekspertëve. I kënaqur të mirëpres negociuesit e të dyja palëve, Skender Hyseni dhe Marko Gjuriq këtë mëngjes”, ka shkruar Lajçak.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti të mërkurën bëri të ditur se delegacioni i Kosovës do të shkojë në Bruksel për të draftuar marrëveshjen finale për çështjen e të pagjeturve.

Hoti ka deklaruar se Hyseni do të flas në emrin e tij në dialog.

“Në përputhje me platformën tonë për proces të dialogut dhe vendimin e qeverisë të marrë para dy jave, unë e kam emëruar dje z. Skender Hyseni si koordinator shtetëror për procesin e dialogut. Ai flet në emër timin në tavolinën e dialogut. Ai ka këtë kompetencë. Do të më përfaqësojë mua si kryeministër në procesin e dialogut”, shtoi kryeministri.

Lidhur me dialogun dhe takimet e kaluara në Bruksel, Hoti pritet të raportojë të premten para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.