Foto: Kallxo.com

Para mbledhjes së kryesisë, LDK lë të hapur mundësinë për marrëveshje me VV-në

Lidhja Demokratike e Kosovës pritet që sot nga ora 14:00 të mbledh kryesinë e partisë, në kohën kur edhe zyrtarisht ka nisur të ec afati kushtetues për formimin e qeverisë, nga ana e të mandatuarit për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje Albin Kurti.

Ndërkohë, LDK-ja sot  po përkujton 14 vjetorin e vdekjes së ish-presidentit Ibrahim Rugova.

Ndërkaq, zyrtarë të kësaj partie sot gjatë ditës u deklaruan për zhvillimet e fundit, duke lënë sërish të hapur mundësinë për marrëveshje koalicioni me VV-në.

Kryetari i LDK-së Isa Mustafa para mbledhjes së kryesisë ka thënë se do të mundohen të gjejnë rrugë për marrëveshje dhe se janë të interesuar që sa më shpejt Kosova ta ketë qeverinë e re.

Kurse, më i prerë ka qenë nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu.

Pas homazheve në varrin e ish-presidentit Rugova, Veliu ka thënë se qëndrojnë prapa ofertës së tyre dhe se janë në pritje të deklarimit të Vetëvendosjes.

“Ne e kemi dhënë ofertën tonë dhe jemi në pritje që Vetëvendosja të deklarohet. Përndryshe ne diçka tjetër nuk kemi”, tha nënkryetari i partisë.

Veliu u pyet edhe se çfarë mund të vendoset në mbledhjen e kryesisë së LDK-së.

“Nuk mund të predikoj çka do të vendos kryesia e LDK-së. Mirëpo, oferta jonë është ajo që është dhënë. Është ofertë parimore dhe sigurisht Kryesia e Lidhjes Demokratike do të qëndrojë aty”, tha ai.

Në anën tjetër, i mandatuari për kryeministër, Albin Kurti i ka në dispozicion 2 javë që të arrijë marrëveshje me partitë politike në vend për të krijuar shumicën brenda legjislativit.

“Kandidati për Kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit”, thuhet në Nenin 95 Kushtetutes së Kosovës.

Kurti kur një ditë më parë në një video-mesazh njoftoi se ka dërguar në Zyrën e Presidentit, emrin e mandatarit, ftoi sërish LDK-në për në diskutimet për lidhjen e koalicionit qeverisës.

Posti i kryekuvendarit aktualisht është pika ndarëse ndërmjet partive.

Derisa LDK ka propozuar që të ketë këtë pozitë deri në marrjen e postit të Presidentit, LVV ka thënë se nuk mund të shkarkohet Glauk Konjufca pasi që i njëjti është votuar edhe nga vetë LDK-ja.

Fillon numërimi prapa për Albin Kurtin