Paqartësi me nenin 29, Zyra për certifikim i rekomandon KQZ-së certifikimin e Partive Politike në pako

Zyra për Regjistrimin dhe Certifikimin e Partive Politike i ka rekomanduar KQZ-së që të bëjë certifikimin e 18 subjekteve politike që kanë aplikuar për certifikimin e kandidatëve të tyre.

Kështu ka bërë të ditur kandidati i LVV-së për deputet, si dhe ish-anëtari i KQZ-së, Adnan Rrusemi, i cili ka publikuar edhe një pjesë të këtij rekomandimi.

“Qëndrim dhe vlerësim profesional i Zyres. Rekomandimi i Zyrës nuk mund të ndryshohet nga anëtarët e KQZ-së që vijnë nga partitë politike. Sot KQZ-ja e ka përpara rekomandimin për të certifikuar kandidatët. Çfarëdo veprimi tjetër do të ishte antikushtetues dhe krejtësisht politik për të luftuar një subjekt politik siç është Lëvizja”, ka shkruar Rrustemi në facebook.

Ndërsa në rekomandimin e publikuar, zyra ka thënë se ky vendim duhet të merret pas paqartësive me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhje.

“Zyra ka hasur në vështirësi për të pasur një qëndrim të qartë në lidhje me zbatimin e germës “q” të nenit 29 të LPZ. Për arsye të paqartësisë së hasur, Zyra rekomandon KQZ-në që të certifikojë në pako subjektet politike dhe kandidatët e mësipërm. Certifikimi i kandidatëve e liron KQZ-në nga obligimi që rrjedh nga neni 30 i LPZ-së në lidhje me ruajtjen e informatave të kandidatëve që janë identifikuar nga institucionet tjera, duke ju krijuar mundësi palëve të interesuara ankesën në instancat ankimore të nivelit të parë dhe të dytë”, thuhet në rekomandimin e Zyrës.

Ditë më parë KGjK kanë kthyer përgjigje KQZ-së në kërkesën për konfirmim të përshtatshmërisë së kandidatëve me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Valmir Elezi zëdhënës i KQZ-së ka thënë se janë 47 kandidatë që kanë problem me ligjin.

“Në përgjigjen që e kemi marrë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, rezulton se 15 nga 28 subjektet politike që kanë aplikuar për certifikim kanë kandidatë të cilët nuk janë në përputhje me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, germën q, e cila specifikon se kandidat për deputetë nuk mund të jetë një person i cili është shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në 3 vitet e fundit. Në përgjithësi, janë 47 kandidatë nga rreth 1080, të cilët janë shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në 3 vitet e fundit”, tha Elezi

Sipas kësaj përgjigje, kryetari i LVV-së, Albin Kurti, kandidatja për deputetit Albulena Haxhiu si dhe disa kandidat të tjerë të partive rrezikonin që të mbeten jashtë listave zgjedhore.

Sot pritet që KQZ të marrë vendim për certifikimin e kandidatëve dhe subjekteve që do të garojnë në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021.

KGjK i kthen përgjigje KQZ-së rreth kandidatëve të dënuar nga Gjykatat