Ilustrim, Foto: REL/Shutterstock

Papunësia në Kosovë rreth 26 për qind, mbetet hendeku gjinor

Në çerekun e fundit të vitit 2019, sektori i tregtisë priu si punëdhënësi kryesor në Kosovë. Ndërsa mbyllja e të gjitha bizneseve në përjashtim të atyre ushqimore për shkak të “Coronavirusit”, rrezikon të godasë tregtinë.

Sipas rezultateve të dala nga ky publikim, dy të tretat e popullsisë në Kosovë janë popullsi në moshë pune. Në popullsinë e moshës së punës përfshihen moshat 15-64 vjeçare.

Në kuadër të popullsisë në moshë të punës, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është 41.4%.
ASK tregon se shkalla e punësimit në Anketën e Fuqisë Punëtore (AFP), për tremujorin e katërt 2019 është 30.7 përqind.

“Punësimi me i lartë është te meshkujt 47.0%, ndërsa punësimi te femrat është 14.2%. Femrat janë të punësuara, kryesisht në sektorët e: arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor, me 53.5 % të tyre, ndërsa meshkujt janë kryesisht të punësuar në sektorët e: tregtisë, ndërtimtarisë dhe prodhimit, me 43.8%.”, thuhet në njoftim.

Sektorët ekonomikë, që prijnë me punësim, vazhdojnë të jenë: tregtia me 16.0 përqind; ndërtimtaria me 11.8 përqind; prodhimi me 11.7 përqind; si dhe arsimi me 10.2 përqind.

Ndërsa, sektorët e tjerë marrin pjesë me përqindje më të vogël në punësim.

Tutje thuhet se sa u përket të punësuarve me kontrata, del se 54.0 përqind e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërkohë që 46.0 përqind kanë kontratë të përkohshme.

Papunësia afër 26 për qind

Sipas rezultateve të AFP-së, në tre muajt e fundit të vitit që shkoi shkalla e papunësisë është 25.9 përqind.

“Papunësia më e theksuar është te femrat me 36.6%, krahasuar me meshkujt, 22.0%. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeçare me 49.1%.”, bën të ditur komunikata.

Rezultatet e AFP-së, gjithashtu tregojnë se në tremujorin e fundit të 2019-s, fuqia joaktive është mjaft e lartë me 58.6 përqind, me fokus të veçantë te femrat me 77.6 përqind, krahasuar me meshkujt, 39.8v.
Këto të dhëna Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) i bëri të ditura me publikimin e “Anketës së Fuqisë Punëtore (AFP), për tremujorin e katërt (TM4) 2019”.

Anketa ka pasur shtrirje në 428 qarqe regjistruese në tërë territorin e vendit, ku janë anketuar 3 mijë e 737 ekonomi familjare, të përzgjedhura sipas metodës së rastit, nga korniza e Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave të vitit 2011.

Për më tepër, ky publikim përmban të dhëna të detajuara mbi punësimin dhe papunësinë sipas moshës, gjinisë, statusit të punësimit, aktiviteteve ekonomike, profesioneve dhe çështjeve të tjera të ngjashme, që kanë të bëjnë me tregun e punës.