Papunësia dhe varfëria, problemet kryesore të qytetarëve të Kosovës

Dy problemet më të mëdha të qytetarëve të Kosovës rezultojnë të jenë papunësia dhe varfëria. Të paktën kështu thuhet në raportin e Pulsit Publik të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë, i cili u bë publik më 25.07.2024.

Në këtë raport që publikohet dy herë në vit u nxorën në pah perceptimet e njerëzve për çështjet socio-ekonomike, politike dhe të sigurisë.

Ashtu si në anketat e mëparshme, edhe në këtë të fundit, të anketuarit janë pyetur për problemet më urgjente me të cilat po përballet Kosova aktualisht.

Të dhënat e anketës së majit të vitit 2024 kanë treguar se varfëria (16.6%), papunësia (16.3%) dhe çmimet për furnizimet esenciale (12.7%) janë identifikuar si tri problemet kryesore me të cilat po përballet Kosova.

Teksa shërbimet e kujdesit shëndetësor (7.8%) dhe mjedisi (5.6%) kanë qenë ndër pesë problemet kryesore.

Perceptimet për problemet kryesore me të cilat përballet Kosova aktualisht. Screenshot: UNDP

UNDP në raport shpjegon se përqindja e të anketuarve që e kanë vlerësuar varfërinë si problem madhor ka rënë për 12 pikë të përqindjes, krahasuar me anketën e nëntorit të vitit 2023, kur varfëria (28.6%) është vlerësuar si problem madhor.

Në vend të kësaj, përqindja e të anketuarve që e kanë parë papunësinë si problemin madhor kryesor është ulur për 2.9 pikë të përqindjes krahasuar me nëntorin e vitit 2023 (19.2%).

Përqindja e të anketuarve që i kanë parë çmimet për furnizimet esenciale si problem madhor është rritur me 3.8 pikë të përqindjes (12.7% në maj të vitit 2024, krahasuar me 8.9% në nëntor të vitit 2023).

Të dhënat e zbërthyera sipas gjinisë kanë treguar se gratë e kanë renditur papunësinë si çështjen më madhore kryesore (18%) dhe varfërinë (17.8%) si çështje madhore të dytë, krahasuar me burrat, të cilët varfërinë (15.3%) e kanë renditur si çështjen më madhore, ndërsa papunësinë (14.7%) si çështje madhore të dytë.

Të dhënat e zbërthyera etnikisht kanë treguar se papunësia renditet si problemi madhor kryesor për 16.8% të shqiptarëve të Kosovës, ndërsa varfëria renditet si problemi madhor kryesor për 15.2% të serbëve të Kosovës dhe 19.5% të komuniteteve të tjera të Kosovës.

Përderisa varfëria renditet si problemi i dytë më urgjent për 16.6% të shqiptarëve të Kosovës, problemet e hapësirës urbane renditen si problemi madhor i dytë për 13.8% të serbëve të Kosovës, ndërsa energjia renditet si problemi madhor i dytë për 14.2% të komuniteteve të tjera të Kosovës.

Sipas UNDP-së ky raport që më shumë se 20 vjet ka ndihmuar që institucioneve dhe akterëve të Kosovës t’u ofrohen të dhëna të paanshme dhe të besueshme për treguesit kryesorë në lidhje me perceptimin e qytetarëve për çështjet socio-ekonomike, politike, të sigurisë dhe ato mjedisore.

Mostra e këtij anketimi, sipas UNDP-së, përfshin të njëjtin numër të burrave dhe grave nga të gjitha komunat dhe rajonet e Kosovës, duke mbuluar si zonat urbane ashtu edhe ato rurale.

Ndërsa sa i përket përket përfaqësimit etnik, mostra ka përfshirë 896 shqiptarë të Kosovës, 210 serbë të Kosovës dhe 200 anëtarë të komuniteteve të tjera të Kosovës: ashkali, boshnjakë, egjiptianë, goranë, romë dhe turq të Kosovës.

Raportin e plotë të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë mund ta gjeni duke klikuar KËTU.