Papa Françesku - Foto: REL/Reuters

Papa: Populizmi dhe autoritarizmi kërcënojnë demokracinë në Evropë

Papa Françesku ka fajësuar ndasitë nacionaliste të Bashkimit Evropain për mungesën e koordinimit për migrantët, teksa Ati i Shenjtë nisi vizitën në Greqi, që ka për qëllim përmirësimin e raporteve me Kishën Ortodokse Greke.

Komuniteti evropian “vazhdon të zvarrisë” dhe “ndonjëherë duket i bllokuar dhe i pakoordinuar” në vend që të jetë “motor solidariteti” sa i përket migracionit, tha Papa gjatë një fjalimi para udhëheqësve politikë dhe kulturorë në Athinë.

“Përgjigjet e lehta” të populizmit dhe autoritarizmit kërcënojnë demokracinë në Evropë, tha Papa dhe bëri thirrje për përkushtim të ri për të promovuar të mirën e përbashkët.

Në këtë ngjarje ku foli Papa, morën pjesë presidentja greke, Katerina Sakellaropoulou, kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis dhe zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Margaritis Schinas.

Gjatë fjalimit, Papa nuk përmendi me emër asnjë shtet apo udhëheqës. Këto komente të Atit të Shenjtë bëhen kur për një kohë të gjatë Komisioni Evropian dhe shtetet qeveritë nacionaliste dhe euroskeptike në Hungari dhe Poloni kanë mospajtime të thella mbi shumë çështje, përfshirë të drejtat e grave, të komunitetit LGBT dhe migrantëve, por edhe për lirinë e mediave dhe gjyqësorit.

Vizita e Françeskut në kryeqytetin grek është e para që prej se Papa Xhon Pali II kishte vizituar Greqinë më 2001, që ishte vizita e parë e një pape në Greqi që prej vitit 1054 kur u ndanë kishat ortodokse dhe katolike.

Në Athinë, Papa pritet të takohet me kreun e Kishës së Greqisë, Kryepeshkopin Ieronymos si dhe me anëtarët e komunitetit katolik të Greqisë që përbëjnë 1.2 për qind të popullsisë.

Më 5 dhjetor, Papa do të qëndrojë në ishullin Lesbos, që ishte shndërruar në pikë kryesore të krizës së refugjatëve në vitin 2015./ REL