Papa i lavdëron indonezianët që “po i zgjedhin fëmijët para maceve”

Papa Françesku i ka lavdëruar indonezianët të mërkurën (04.09.2024) për familjet e tyre të mëdha dhe ka sugjeruar se njerëzit në vendet tjera po mbajnë kafshë shtëpiake në vend se të lindin fëmijë, raporton Reuters.

Papa 87-vjeçar po fliste krah presidentit të Indonezisë, Joko Widodo, në Xhakartë në ndaljen e parë në kuadër të turit të tij prej katër ditësh në Azi.

“Dhe vendi juaj… ka familje me tre, katër ose pesë fëmijë që ecin para, dhe kjo reflektohet në shkallët e moshës së vendit”, ka thënë ai.

“Vazhdoni, ju jeni një shembull për të gjithë, për të gjitha vendet që mbase, dhe kjo mund të tingëllojë qesharake, (ku) këto familje preferojnë të kenë një mace ose një qen të vogël në vend të një fëmije”, ka shtuar ai, duke shikuar me nënqeshje presidentin indonezian.

Ati i Shenjtë kishte bërë komente të ngjashme edhe në maj kur i ishte adresuar një konference në Romë për krizën demografike që po kaplon Italinë dhe Evropën.

“Shtëpitë janë mbushur me objekte dhe pa fëmijë, duke u kthyer në vende shumë të trishtuara. Nuk ka shkurtim të numrit të qenve, këta nuk po mungojnë. Ka mungesë të fëmijëve”, kishte deklaruar atëherë.

Megjithëse Indonezia ka shkallë më të lartë të lindjeve se shumë vende perëndimore, trendi është në rënie viteve të fundit edhe në këtë shtet aziatik.

Në Shtetet e Bashkuara, JD Vance, bashkëgaruesi i kandidatit republikan për president, Donald Trump, është përballur me një mal kritikash në media pas komenteve me të cilat rivalëve demokratë iu referua si “një tubë zonjash pa fëmijë, por me mace”.

 

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com