Foto: REL/Reuters

Papa bën thirrje që t’i jepet fund dhunës ndaj grave

Papa Françesku bëri thirrje që t’i jepet fund dhunës ndaj grave, duke thënë se një gjë e tillë është “fyerje” ndaj Zotit.

Papa Françesku i bëri këto komente më 1 janar, gjatë mesazhit të tij të përvitshëm për Vitin e Ri në meshën e mbajtur në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan.

Françesku, 85 vjeç, dukej se gëzonte shëndet të mirë dhe ai eci përgjatë pjesës qendrore të bazilikës, krahasuar me shërbimet më 31 dhjetor, kur ai përdori një hyrje më afër altarit.

Pjesëmarrja në meshë ishte e kufizuar për shkak të masave kundër pandemisë së koronavirusit.

“Sa shumë dhunë është e drejtuar kundër grave. Mjaft. Ta lëndosh një grua është ta fyesh Zotin”, tha Papa.

Gjatë një programi televiziv muajin e kaluar, Papa tha se një burrë që ushtron dhunë ndaj një gruaje, përfshihet në diçka “që është pothuajse satanike”.

Që prej fillimit të pandemisë, Papa Françesku ka folur disa herë kundër dhunës ndaj grave, dukuri që u rrit në mbarë botën gjatë mbylljeve për shkak të COVID-19, duke lënë gratë që të qëndrojnë të mbyllura në shtëpi së bashku me abuzuesit e tyre.

Më 1 janar, Kisha Katolike feston Ditën Botërore të Paqes. Në një deklaratë për të shënuar këtë ditë, muajin e kaluar Papa bëri thirrje që shtetet të shpenzojnë më pak në armatim dhe më shumë në arsimim./REL