Pantina i kundërpërgjigjet Bislimit, e kritikon për hipokrizi

Deputetja e Partisë SocialDemokrate, Shqipe Pantina i është përgjigjur nënkryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Bisnik Bislimi për akuzat e tij për “të ikurit nga LVV-ja”.

Mbrëmë, nënkryetari aktual i VV-së, Besnik Bislimi, në emisionin “Interaktiv” të KTV-së tha se deputetët që lanë partinë e Albin Kurtit e tradhtuan elektoratin.

Sot, erdhi një përgjigje nga deputetja e PSD-së, Shqipe Pantina. Ajo nëpërmjet një shkrimi në “Facebook”, ia përmendi Bislimit kohën e gjuajtjes së gazit lotsjellës.

“Edhe Besniku (Bislimi) po na quan tradhtarë? Për herë të dytë, në ditën kur është zgjedh Thaçi President, unë kam hedhur gaz lotsjellës sepse Besniku nuk pranoj ta bënte ( kishte mbetur i vetmi pa e bërë)”, ka shkruar Pantina.

“Nuk e rrezikonte dot rrogën prej 5500 euro ne muaj, e une rrezikova edhe burgun per LVV”, thotë tutje ajo.

Ajo ia përmendi nënkryetarit të VV-së edhe përfshirjen e tij në listë për deputet dhe pozitën e drejtorit në komunën e Prishtinës.

“PSD-se i kërkon të garojë e vetme në zgjedhje, por ai vet u përfshi në listë të deputeteve vetëm duke qenë numër 5, që i mundësonte fitoren e sigurt si deputet, ndërsa në komunën e Prishtinës ku vërtetë do të mund të kontribuonte si drejtor nuk qëndroj as për dy muaj. Pranoi të bëhet nënkryetar i një subjekti të majtë e në anën tjetër hartoi program për një parti krejtësisht të djathte (60 mijë euro nuk janë pak, pse jo do thoshte dikush). Si deputet i LVV, shkoi për më shumë se katër muaj ne SHBA për arsye private, pra shembull se si interesi personal është më i rëndësishëm se përgjegjësia publike”, deklaroi Pantina.

“Siç do thoshte një kolege e partisë së tij, kjo nuk mund te quhet ndryshe përveç hipokrizi!”, tha në fund ajo.

Kujtojmë se në vitin 2018,  12 deputetë që garuan në listën e Lëvizjes Vetëvendosje shpërfaqen pakënaqësi të brendshme. Ata u larguan duke deklaruar se nuk pajtohen me mënyrën e zgjedhjes së kryetari të kësaj lëvizjeje.

Që nga ajo kohë, PSD ka krijuar grupin e vetë parlamentar në Kuvend, ndërsa kanë mbushur edhe një vit riorganizim brenda partisë që për shumë vite e drejtoi, Kaqusha Jashari.

1 vit riorganizim i PSD-së, një këmbë brenda e një jashtë Qeverisë

www.kallxo.com