Ilustrim

Panelet diellore, SHBA kërkon të ulë varësinë nga Kina

Prodhuesit dhe konsumatorët amerikanë tani kanë më shumë arsye për të përdorur panelet diellore për energji, pas miratimit të paketës së re ekonomike që synon të ulë inflacionin. Në këtë paketë ofrohen stimuj financiarë për zhvillimin e një industrie më të fuqishme në Amerikë për prodhimin e paneleve diellorë.

Përveç kazinove, në Las Vegas ka më shumë se 300 ditë me diell në vit. Kjo ka një ndikim të madh tek faturat e energjisë për banorët.

“Në një shtëpi si e jona, dykatëshe me pishinë, shpenzon 800-900 dollarë në muaj energji elektrike”, thotë Jason Livingston, banor në Las Vegas.

Për të kursyer më shumë para, ai po instalon panele diellore, të cilat janë bërë financiarisht më të përballueshme në dekadën e fundit.

“Kostoja e energjisë diellore ka ndryshuar në mënyrë dramatike në krahasim me ditët kur unë nisa punën. Dhe të jesh në një vend si këtu në Las Vegas, financiarisht panelet diellore janë një ndihmë e madhe”, thotë Frank Rieger, themeluesi i kompanisë “Sol-Up”.

Punonjës së kompanisë së tij “Sol-Up” në Las Vegas po instalojnë panele nga Gjermania. Por lojtari dominues në këtë lloj industrie është Kina.

Një raport i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë në korrik vinte në dukje se Kina luan një rol në më shumë se 80% të fazave kryesore të prodhimit të paneleve diellore. Por varësia nga Kina ka krijuar një rrezik në zinxhirin të furnizimit.

Kompania “Auxin Solar” është një nga prodhuesit e paktë të paneleve diellore në SHBA.

“Nëse këto panele nuk prodhohen në SHBA, ne e shikojmë atë si një shqetësim të sigurisë kombëtare. Rrjeti energjitik i energjisë së rinovueshme, që funksionon përmes paneleve diellore, ka nevojë për furnizim të vazhdueshëm me panele, por nëse nuk i prodhion ato vetë, dhe nuk i gjen dot kur të duhen, gjithë rrjeti bëhet i pavlefshëm”, thotë Mamun Rashid, drejtues i kompanisë “Auxin Solar”.

Këtë vit, SHBA-ja rriti tarifat për panelet diellore që përmbajnë silikon kristalor nga Kina. Sipas vendimit të Uashingtonit ndalohen të blihet pajisje të prodhuara nga ujgurët myslimanë, të cilët i nënshtrohen punës së detyruar në rajonin Xinjiang të Kinës.

“SHBA-së nuk i interesojnë fare faktet dhe e vërteta, por politizon bashkëpunimin normal ekonomik dhe tregtar dhe ndërhyn artificialisht në zinxhirët normalë industrialë dhe të furnizimit duke shtypur me qëllim kompanitë kineze”, tha Zhao Lijian, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme Kineze.

Ambasada kineze në Uashington i tha Zërit të Amerikës se “SHBA duhet të ndalojë menjëherë përhapjen e gënjeshtrave dhe të ndalojë zbatimin e këtij legjislacioni keqdashës”.

Paketa e re ekonomike, e nënshkruar dje nga Presidenti Bajden, parashikon uljen e taksave për prodhuesit dhe konsumatorët për të inkurajuar rritjen e industrisë së paneleve diellore në SHBA.

“Ju keni të bëni me Kinën. Nuk është një ekonomi e tregut të lirë. Nuk mund të konkurrosh me subvencionet e Kinës, kështu që kjo nuk e mjaftueshme. Ne gjithashtu duhet të zbatojmë ligjet e tregtisë”, thotë Mamun Rashid, drejtues i kompanisë “Auxin Solar”.

Kompania “Auxin Solar” nxiti një hetim të Departamentit të Tregtisë në fillim të këtij viti, nëse disa panele diellore që vinin në SHBA nga katër vende të Azisë Juglindore ishin në të vërtetë produkte kineze, që përpiqeshin të shmangnin tarifat e SHBA-së.

Shumë projekte që përdornin panelet diellore në SHBA u ndalën, nga frika e tarifave. Presidenti Biden njoftoi një ngrirje dy-vjeçare të tarifave për eksportet nga këto vende.

Departamenti i Tregtisë ende nuk i ka publikuar gjetjet e hetimit, por Shtëpia e Bardhë synon të trefishojë prodhimin vendas të paneleve diellore deri në vitin 2024. VoA