Refugjatët sirianë duke punuar në një arë në Turqi Foto: VOA

Pandemia zhyt në borxhe refugjatët në Turqi

Pandemia e koronavirusit zhyti më thellë në varfëri miliona refugjatë sirianë që jetojnë në Turqi. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, agjensitë e ndihmave thonë se shumë prej tyre u detyruan të marrin borxhe të mëdha.

Në Turqi ndodhen pothuajse 4 milionë refugjatë, shumica prej tyre sirianë që iu larguan luftës në vendin e tyre. Pjesës më të madhe prej tyre nuk u lejohet ligjërisht të punojnë, por ata gjejnë punë informale në sektorë si ndërtimi, bujqësia dhe hoteleria.

Kur goditi pandemia e koronavirusit, masat izoluese të Turqisë i mbyllën me shpejtësi shumë prej këtyre punëve.

“Për rrjedhojë, u kufizuan mundësitë e njerëzve për të fituar dhe për të paguar për nevojat bazë, si për ujin, kujdesin shëndetësor, elektricitetin. Rezultat i kësaj ishte rreziku i futjes në vështirësi më të mëdha – si p.sh. marrja e borxheve të mëdha që ishte ndër konstatimet tona kryesore”, thotë Jonathan Brass, nga Federata Ndërkombëtare e Kryqit të Kuq në Turqi.

Një studim i Gjysmëhënës së Kuqe Turke dhe Federatës Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe tregoi se nivelet e borxhit për refugjatët janë rritur me 50% gjatë vitit të kaluar.

“Cilësia, sasia dhe llojet e ushqimeve që njerëzit konsumonin po zvogëloheshin, sepse masat ndikojnë tek këto. Njerëzit po futeshin në borxhe për shërbimet komunale dhe nuk po shlyenin faturat për strehimin e tyre”, thotë zoti Brass.

Federata Ndërkombëtare e Kryqit të Kuq siguron ndihmë në të holla për refugjatët në Turqi duke përdorur fonde nga Bashkimi Evropian, pjesë e marrëveshjes së arritur mes Brukselit dhe Ankarasë në vitin 2016, për të ndalur rrjedhën e refugjatëve drejt Evropës.

I ashtuquajturi “Rrjeti i Sigurisë Sociale të Emergjencës” arrin në rreth 18 dollarë amerikanë në muaj për një anëtar të familjes. Duke folur të premten, presidentja e Komisionit Evropian premtoi fonde shtesë.

“Po planifikojmë një fond shtesë prej 3 miliardë eurosh për të mbështetur refugjatët në Turqi deri në vitin 2024”, tha zonja Ursula von der Leyen.

Refugjatët në Turqi kanë mundësinë të bëhen pjesë e programit të vendit për vaksinimin ndaj koronavirusit. Shpresohet që lehtësimi i masave të izolimit këtë muaj do të hapë më shumë mundësi për refugjatët për të fituar para.

Por kritikët thonë se Evropa dhe Perëndimi duhet të dalin me një zgjidhje afatgjatë për refugjatët e Sirisë, përfshirë programe më të shpejtë të rivendosjes, për të lehtësuar presionin mbi Turqinë./VOA