Pandemia shpërfaq të metat në reagimin ndaj dhunës në familje në Kosovë

Përderisa Kosova fillon të dalë nga masat bllokuese pas shpërthimit të coronavirusit, aktivistët, gazetarët, policia dhe zyrtarët qeveritarë reflektojnë për mangësitë në raport me reagimin ndaj dhunës seksuale dhe dhunës me bazë gjinore në Kosovë të vëna në pah nga pandemia.

Një mori rastesh të vazhdueshme të dhunës me bazë gjinore janë raportuar në Kosovë disa javë më parë duke shkaktuar shqetësime në mesin e publikut, dhe asnjë person nuk doli të ishte më i zëshëm se Nerimane Ferizi, aktiviste nga Mitrovica.

“Dy raste serioze të dhunës seksuale në Mitrovicë dhe dy në Vushtrri janë raportuar gjatë pandemisë në periudhën prej dy javësh,” tha Ferizi. “Jo vetëm që nuk kishte një reagim adekuat nga ana e policisë, por nuk pati as ndonjë reagim nga institucionet e madje, as edhe një reagim medial jashtë Mitrovicës. Kjo është shumë shqetësuese. “

Nerimane Ferizi ishte kritike ndaj punonjësve të sistemit të drejtësisë të përfshirë në rastet që karakterizoheshin me dështimin për të marrë përgjegjësi duke përmendur faktin se Policia e Kosovës ka hedhur fajin tek Prokuroria e Kosovës për lirimin e të gjithë të dyshuarve të përfshirë në rast.

Megjithatë, Nerimane Ferizi shtoi se problemi del përtej institucioneve të drejtësisë. Përforcimi i roleve gjinore tradicionale dhe stigmës (njollës, etiketimit) rreth dhunës seksuale ka zënë rrënjë në shoqërinë kosovare, thotë ajo, duke e brumosur një kulturë armiqësie dhe turpi ndaj grave që kanë guximin  dhe raportojnë e dhunën.

“Ne duhet të bëjmë diçka sepse si një grua, nuk keni ku të shkosh nëse policia nuk ju ndihmon”, tha ajo. “Shkon në ministritë tona, departamentet tona, zyrat tona për të drejtat e njeriut, madje edhe ata që punojnë në sektorin për barazi gjinore, dhe krejt cfarë do të shihni aty do të jetë një sistem patriarkal. Madje edhe nëpër shtëpitë tona të sigurta, në strehëzat tona dhe shkollat tona, ka njerëz që funksionojnë plotësisht në këtë mënyrë tradicionale, patriarkale. “

Bashkë me Nerimane Ferizin ishin edhe përfaqësuesi i Policisë së Kosovës Ramadan Ahmeti dhe Ministrja aktuale e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, gjatë debatit në programin televiziv të  BIRN  ‘Jeta ne Kosove’ ditën e enjte.

Sipas Ramadan Ahmetit, shtimi i rasteve të raportuara të dhunës në familje gjatë kohës së pandemisë tregon për një besim të vazhdueshëm në Policinë e Kosovës, ndërsa ministrja Haxhiu tha se qeveria po punon në përmirësuimin e koordinimit për të parandaluar që raste të tilla si në Mitrovicë dhe Vushtrri të mos shfaqen përsëri.

“Në përgjithësi, ne e shohim këtë si qasje patriarkale,” tha Haxhiu. “Ministria e Drejtësisë ka krijuar një bazë të dhënash ku institucionet duhet të regjistrojnë dhe raportojnë të gjitha rastet e tyre, kështu që tani, ne do të jemi në gjendje të monitorojmë reagimin institucional dhe të shohim se çfarë ndodh pasi rastet regjistrohen në polici.”

Sidoqoftë, gazetarët dhe aktivistët që ishin pjesë e këtij debat ranë dakord që institucionet e drejtësisë së Kosovës janë të mbingarkuara me problemet sistematike që lejojnë mosndëshkimin e dhunës, dhe nënvizuan se kultura kosovare që ka të bëjë me fajësimin e viktimave duhet të ndryshojë përpara se besimi i vërtetë në policinë, prokurorinë dhe gjykatat e Kosovës të mund të arrihet.

Shoqëria civile e mirëpret “reagimin’ e policisë ndaj dhunës në familje

Ramadan Ahmeti, i cili udhëheqë Njësinë për Parandalimin e Dhunës në Familje në Policinë e Kosovës, thotë se raportimi i statistikave në lidhje me dhunën në familje ka pasur një rritje edhe gjatë masave të bllokadës, duke vërejtur një rritje prej 20-25 për qind në raportime nga vitet 2018-2020 në krahasim me vitet e kaluara. Sipas tij, ndërmjet datave 1 mars dhe 15 maj ka pasur 96 raste të raportuara.

Sidoqoftë, pandemia ka bërë pak ndryshime në tendencat e raportimit, beson ai. “Policët nuk janë psikologë, por unë nuk mendoj se kjo rritje ka të bëjë me pandeminë,” tha Ahmeti.

Sipas Tijana Simic-Lavali, aktiviste që punon me viktimat e dhunës familjare në Mitrovicë, ka pasur një rritje statistikore të raportimit në katër komunat me shumicë serbe në Kosovë.

“Kjo është ajo që kemi pritur, duke marrë parasysh masat e bllokadës,” deklaroi Simic-Lavali. “Ne kemi pranuar shumë më shumë thirrje nga gratë në lidhje me rastet e dhunës, por po ashtu edhe shumë gra të interesuara për të mësuar se cilat janë të drejtat e tyre dhe kanë qenë të interesuara se si do të duhej ti raportonin rastet e dhunës.”

Simic-Lavali e po ashtu dhe Adelina Tershani, koordinatore e projekteve në Rrjetin e Grave të Kosovës, e përgëzuan Policinë e Kosovës për bashkëpunimin e tyre dhe reagimin e tyre pozitiv ndaj rekomandimeve të bëra nga shoqëria civile në lidhje me dhunën me bazë gjinore gjatë kohës së pandemisë.

“Ne kemi kërkuar nga institucionet që të marrin seriozisht parandalimin e dhunës dhe të mos ta përdorin pandeminë si një arsyetim për ndonjë rritje – ai mund të jetë një shkak që ka bërë që ky numër të rritet, megjithatë dhunuesit mbeten dhunues pavarësisht faktit se jemi në periudhë të pandemisë dhe ata duhet të denohen,” tha Tershani. “Gatishmëria e institucioneve ka qenë për çdo lavdatë.”

Sistemi i drejtësisë ‘neglizhon viktimat, është i butë me dhunuesit’.

Përkundër duartrokitjeve nga shoqëria civile për mbështetjen e treguar nga Policia e Kosovës në raport me viktimat e dhunës në familje, gazetari dhe eksperti ligjor Kreshnik Gashi vuri në dukje se fokusimi në rritjen e rasteve të raportuara fsheh një problem më të madh.

“Unë mendoj se numri i rasteve të dhunës në familje është dyfish më i madh se ai që raportohet,” tha Gashi. “Ne jetojmë në një mjedis që do të thotë se kur një grua raporton dhunën në familje, ajo do të përballet edhe më shumë probleme tjera pastaj.”

Kreshnik Gashi kujtoi një rast të kohëve të fundit në të cilën një grua që jeton në Komunën e Mamushes është sjellë vërdallë nëpër departamentet e policisë në Mamushë dhe Prizren, dhe rasti  i saj është shpërfillur nga zyrtarët policorë të të dyja stacioneve policore.

Sipas Gashit, policia duhet të ketë pasur të siguruarit e saj si prioritetin e tyre kryesor, në vend që të përpiqej ta kalonte tutje problemin tek ndonjë departament tjetër. “Duhet që policia të ndërrojë qasjen, pra jo viktima të shkojë në polici por policia të shkojë tek viktima dhe të dëshmojë se policia, pra shteti, është aty për ta mbrojtur atë,” shtoi ai.

Bashkëthemeluesja i aplikacionit të parë mbi shëndetin seksual në Kosovë dhe aktivistja e shoqërisë civile, Eurisa Rukovci, pajtohet me Kreshnik Gashin duke pranuar se qëndrimet diskriminuese në mesin e zyrtarëve policorë ndaj atyre që raportojnë dhunën në familje janë të mirënjohura.

“Viktimat shkojnë në polici për të raportuar dhe atje riviktimizohen,” tha ajo. “Do të doja të di se cili është qëllimi i policisë për një qasje më gjithëpërfshirëse dhe më pranuese ndaj grave në mënyrë që viktimat e tjera të ndjehen më të lira për ti raportuar rastet e dhunës në familje.”

Sipas Ramadan Ahmetit, zyrtarët policorë kanë marrë pjesë në seminare për të adresuar këtë çështje. “Ne jemi të hapur për kritika, por do të merren masa në rast se vërejmë ndonjë trajtim çnjerëzor,” theksoi ai. “Në shkurt, ne kemi mbajtur katër trajnime për policinë në mbarë Kosovën duke i mësuar ata rreth procedurave dhe trajtimit njerëzor të viktimave të dhunës në familje dhe komunitetit LGBTI.”

Lënia pas dore e rasteve të dhunës me bazë gjinore nuk ndalet në fazën e raportimit, deklaroi Kreshnik Gashi. Sipas tij, mungesa e procedurave standarde të funksionimit zyrtar gjatë transferimit të çështjeve ndërmjet policisë dhe prokurorisë është një faktor kryesor që rezulton me ndërprerjen e hetimeve si dhe i shkallës së ulët të ndjekjes së autorëve të dhunës familjare në Kosovë, duke i bërë gjykatësit të jenë të butë në raport me dhunuesit.

“Nëse shkoni në prokurori dhe i pyesni për mënyrën në të cilën ata e kanë marrë përsipër trajtimin e një rasti, ata do t’ju thonë se i i kanë marrë të gjitha informacionet e tyre verbalisht, pra me gojë. Kjo lë shumë hapësirë për neglizhencë dhe abuzim të procedurës. Mënyra se si këto institucione komunikojnë me njëra-tjetrën tregon se ka nevojë për një ndryshim të madh,” tha Gashi, duke shtuar se është përgjegjësi e Ministrisë së Punëve të Brendshme të përmirësojë koordinimin midis institucioneve gjyqësore të Kosovës.

Ç’rrënjosja e një kulture afatgjate të fajësimit të viktimave

Gratë që ishin pjesë e debatit e të cilat punojnë në fushën e dhunës me bazë gjinore theksuan se shkaku kryesor i diskriminimit ndaj grave të cilat raportojnë dhunën në familje qëndron tek pranimi kulturor i abuzimit.

“Dhuna ndaj grave përforcohet përmes shumë miteve të shumta të cilat besohen dhe legjitimohen për mënyrën se si flasim edhe për dhunën por edhe për viktimat,” tha Rukovci. “Pëlqimi nuk është një fjalë që kuptohet mirë në gjuhën shqipe. Besimi se viktimat nxisin dhunën dhe sulmet ndaj tyre përmes veshjes apo konsumit të alkoolit e kështu me radhë, duhet të ndryshojë. “

Një nga mënyrat më të rëndësishme për ti demaskuar këto mite është biseda me burra dhe djem të rinj, tha Rukovci. “Ne duhet t’i mësojmë ata që të mos i ngacmojnë dhe të mos abuzojnë me gratë, në të njëjtën mënyrë, që t’i mësojmë ata të mos gënjejnë, vjedhin ose mashtrojnë.”

Tërshani nga Rrjeti i Grave të Kosovës shtoi se duke punuar me të mbijetuarit e dhunës me bazë gjinore ka zbuluar mënyrat e shumta në të cilat gratë dhe vajzat bëhen subjekt të një trajtimi të ashpër dhe autoritar në jetën e përditshme. Për shumë vajza të reja që frekuentojnë shkollat e Kosovës, tha ajo, masat e bllokadës ishin një bekim, duke i mbrojtur ato nga ngacmimet me të cilat përballen në klasat e mësimit.

“Ne dëgjojmë kaq shumë histori të mësimdhënësëve të lëndës së edukatës fizike që i ngacmojnë vajzat në klasë duke i prekur aty kinse po u japin udhëzime për lëvizjet e tyre. Ora mësimorë në lëndën e biologjisë në lidhje me edukimin seksual kthehet në hajgare ndaj trupit të qikave të klases e pastaj edhe e-mailat (bisedat private) shfrytëzohen për sjellje private me nxënëse në kërkim të fotove nudo” tha ajo. “Abuzimi seksual ndaj vajzave është prezent në çdo shkollë, por përvoja e përjetuar e viktimizimit nëpër të cilën ka kaluar çdo grua e ka bërë të vështirë edhe për prindërit të besojnë në vajzat e tyre.”

Tërshani beson se këto përvoja duhet të publikohen më gjerësisht, si një mënyrë që shoqëria kosovare të kuptojë se sa e thellë është esenca e këtij problemi. “Ka pasur disa raste kur vajzat e reja kanë qenë të guximshme të flasin për këtë, por ne kemi nevojë që këto histori të tregohen gjithnjë e më shumë.”

 

Kjo seri e debateve është mbështetur dhe financuar nga UNMIK. Programi pasqyron vetëm pikëpamjet e individëve.