Pandemia rrit nevojën e vaksinimit kundër gripit sezonal

Në Kosovë janë siguruar 120 mijë doza të vaksinës kundër gripit sezonal. Aplikimi i kësaj vaksine pritet të bëhet në fillim të muajit tetor, kur edhe fillon sezoni i gripave. Por, ky numër pritet të shumëfishohet për shkak të pandemisë.

Në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik thonë se këtë vit është shumë e rëndësishme që grupet e rrezikuara të vaksinohen, meqë diagnostikimi i gripit sezonal me pandeminë e COVID-19, sëmundje që e shkakton koronavirusi, janë të ngjashme.

Ata thonë se dallimi mes këtyre viruseve është se koronavirusi i ri është më i ashpër se viruset sezonale, pikërisht për shkak të përhapjes së shpejtë që ka. Ndërkaq, sa i përket simptomave, ka ngjashmëri, si ethe, temperaturë, dhimbje fyti, të vjella, diarre, kokëdhimbje etj.

Mikrobiologu Lul Raka thotë për Radion Evropa e Lirë se përpos 120 mijë dozave të vaksinës kundër gripit sezonal që i ka siguruar Qeveria e Kosovës, pritet që edhe 380 mijë doza të tjera të kësaj vaksine të arrijnë në vend, në mënyrë që të rritet numri i personave në Kosovë që do të imunizohen.

Kategoritë që duhet të vaksinohen në periudhën e gripave, janë të gjithë personat e moshuar mbi 65 vjeç, si dhe personat me sëmundje kronike.

“Me nisjen e sezonit të dimrit, do t’i kemi dy armiq përballë, do ta kemi edhe COVID-19, e që po ballafaqohemi qe disa muaj, por edhe gripin sezonal. Edhe në aspektin e diagnostikimit do të kemi problem, meqë simptomat mund të jenë të njëjta, dhe nëse kësaj ia shtojmë faktin që testimet janë të pamjaftueshme për shkak të numrit të madh të rasteve, atëherë kjo do ta vështirësojë edhe më tepër menaxhimin e pandemisë”, thotë Raka.

“Prandaj, për gripin e që kemi opsione siç është vaksinimi , atëherë unë inkurajoj qytetarët sidomos grupet e rrezikuara, që patjetër të vaksinohen, në mënyrë që ta përballojmë më lehtë edhe gripin por edhe pandeminë”, shton ai.

Vaksina kundër gripit sezonal i mbron njerëzit për një sezon, dhe është kombinim i disa viruseve që janë në qarkullim, thotë Sami Uka, kryeshef i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë. Sipas tij, vaksinat do të shpërndahen në të gjitha qendrat e mjekësisë familjare, në mënyrë që të shmanget grumbullimi i njerëzve në pika të caktuara.

“Nëse gjithçka shkon sipas planit, ne do të fillojmë në muajin tetor, t’i vaksinojmë njerëzit. Rreth 120 mijë doza të vaksinës kundër gripit sezonal, mendoj se janë të mjaftueshme për fillim. Kjo vaksinë jepet falas për qytetarët, dhe (dozat) do të shpërndahen në të gjitha Qendrat e Mjekësisë Familjarë afër vendbanimit të qytetarëve’’, bën të ditur Uka. /REL