Rritja ekonomike - Foto: REL/Shutterstock

Pandemia përmbysi shifrat, shënohet rënie e ekonomisë

Në tremujorin e dytë prill-qershor të sivjetmë, ku vala pandemisë sa vinte e përhapej, duke shënuar rritje të rasteve të të infektuarve, ekonomia po e merrte tatëpjetën. Në këtë tremujor, pati mbi 9 për qind rënie të ekonomisë ku sektori i ndërtimit, akomodimit dhe ushqimit u prekën më shumë.

Në tremujorin e  dytë vlerësohet se pati rënie përmbi 9 për qind më pak në raport me periudhën e njëjtë.

“BPV-ja në TM2 2020 shënon rënie për (-9.28%), krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak (TM2 2019)“, thuhet në komunikatë

Tutje ASK përmend se aktivitetet ekonomike që shënuan rënie në këtë tremujor janë: ndërtimi -47.08 pë rqind; tregtia, transporti, akomodimi dhe shërbimi ushqimor -24.4 për qind; aktivitetet profesionale dhe administrative -16.39 për qind; aktivitetet financiare dhe të sigurimit -6.71 për qind; si dhe bujqësia, pyjet dhe peshkimi -1.74 për qind.

Ndërkaq, rritje reale në këtë tremujor kishin aktivitetet ekonomike, si: industria nxjerrëse, përpunuese, energjia elektrike, dhe furnizimi me ujë 19.8 për qind; informacioni dhe komunikacioni 29.6 për qind; aktivitetet pasurive të paluajtshme 4.29 për qind; artet, argëtimi dhe çlodhja, dhe aktivitetet e tjera shërbimi 4.64 për qind; si dhe administrimi publik, arsimi dhe shëndetësia 4.73 për qind.

Komponentët e BPV-së sipas metodës së shpenzimeve që kishin rënie janë: formimi i bruto kapitalit -41.09 për qind; eksporti i shërbimeve -62.93 për qind; dhe importi i mallrave dhe shërbimeve -19.77 për qind.

Ndërkohë, tutje thuhet se kishte rritje te: eksporti i mallrave 12.18 për qind; shpenzimet e konsumit final të ekonomive shtëpiake dhe IJPSHESH 3.47 për qind; dhe shpenzimet e konsumit final të Qeverisë 8.58 për qind.

Këto të dhëna Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) i bëri të ditura me publikimin e të Bruto Produktit Vendor për tremujorin e dytë (TM2) 2020, sipas aktiviteteve ekonomike dhe me qasjen e shpenzimeve, me çmime aktuale dhe konstante.