Pandemia, kryetarët e komunave me një listë kërkesash për qeverinë

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka organizuar sot takimin e Këshillit të Kryetarëve të Komunave të Republikës së Kosovës për të debatuar lidhur me situatën aktuale në komuna dhe kërkesat e sfidat e komunave në parandalimin e shpërndarjes së pandemisë së Covid19.

Në këtë takim, që është mbajtur në Shtëpinë e Kulturës në Drenas janë debatuar temat si situata nëpër komuna sa i përket parandalimit të përhapjes së coronavirusit, praktikat e komunave në luftimin e kësaj pandemie, bashkëpunimi me nivelin qendror sa i përket masave në këtë drejtim dhe nevojat e komunave në luftën për parandalimin e përhapjes së COVID 19.

Në hapje të takimit, Zëvendës Kryetari i AKK-së z.Xhafer Gashi falënderoi kryetarët e Komunave që në këtë kohë me shumë angazhime për të qenë sa më afër qytetarëve të tyre janë të përkushtuar edhe në nivel Këshillit të Kryetarëve me dhënë kontributin e tyre.

“Falënderoj Kryetarin e Drenasit z.Ramiz Lladrovci për gatishmërinë që të krijoj kushte për këtë takim të sotshëm dhe brenda rregullave e masave të institucioneve shëndetëore në parandalimin e pandemisë Covid-19”, ka thënë Xhafer Gashi, zëvendës kryetar i Asiciacionit të Komunave të Kosoves, njofton AKK.

Në këtë takim Kryetarët e Komunave kanë diskutuar duke paraqitur situatën nëpër komunat e tyre, gjendjen e qytetarëve dhe për të paraqitur nevojat e kërkesat në mënyrë që lufta kundër pandemisë Covid19 të jetë më efikase dhe më e lehtë.

Në fund të takimit, Këshilli i Kryetarëve ka dalë me disa rekomandime të cilat kanë të bëjnë me luftimin e parandalimit të coronavirusit.

Rekomandimet e Asociacionit te Komunave te Kosovës janë:

  1. Orari i kufizimit të lëvizjes së lirë të jetë i njëjtë në të gjitha komunat e Kosovës.
  2. Kryetarët kërkojnë që të informohen drejtpërdrejtë nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHP) për personat e infektuar me Covid-19 e jo të dëgjojnë përmes mediave dhe rrjeteve sociale.
  3. Pakoja Fiskale Emergjente të fillojë të zbatohet sa më shpejtë sepse nevojat për luftimin e përhapjes së COVID-19 janë duke u rritur.
  4. Qeveria të ngrisë dinamikën e shpërndarjes së materialit mbrojtës shëndetësor për Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare.
  5. Mundësisht të rritet numri i testeve për personat e dyshuar me Covid 19 sepse në këtë mënyrë lufta për parandalim të përhapjes së Covid-19 bëhet më efikase.
  6. Heqja e barrierave administrative për komuna për blerjen e pajisjeve për luftimin e përhapjes së Covid-19.
  7. Komunat kërkojnë nga Qeveria që të gjindet një zgjidhje sa i përket produkteve bujqësore dhe i rekomandon qeverisë që t’ua blejë bujqëve produktet dhe pastaj t’i shpërndaj nëpër komuna, aty ku kërkohet.
  8. Kryetarët e Komunave kërkojnë që pjesë e Pakos Fiskale Emergjente duhet të jenë gjithë punëtorët e Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjare, punëtorët e Kompanive të Mbeturinave, Zyrtarët Komunal për Informim dhe punëtorët tjerë të administratës në sportele.
  9. Kryetarët e Komunave u bëjnë thirrje qytetarëve që të mos i stigmatizojnë personat e infektuar me COVID-19 e sidomos ata të diasporës.