Pandemia, kompanitë amerikane shkurtojnë në masë vende pune

Ritmi i kërkesave për kompensim papunësise në SHBA ra paksa javën e kaluar, duke u ulur në 3.2 milion, një shifër jo e vogël ndërkohë që pandemia e koronavirusit vazhdon të godasë ekonominë më të madhe në botë.

Gjithsej, 33.5 milion punëtorë amerikanë, ose një në pesë, kanë bërë kërkesë për kompensim papunësie, ndërsa pandemia ka mbyllur sektorë të mëdhenj të biznesit duke filluar nga mesi i muajit mars, sipas Departamentit të Punës.

Punëtorët që paraqesin kërkesë për kompensim paguhen diçka më pak se gjysma e pagës normale. Por këto pagesa aktualisht janë duke u rritur gjatë pandemisë me shtesa nga qeveria federale prej 600 dollarësh në javë për katër muajt e ardhshëm.

Një raport i fundit tregon se kompanitë shkurtuan 20,2 milion vende pune gjatë muajit prill.

Instituti i Kërkimeve ADP tha të mërkurën se humbja e vendeve të punës në muajin prill ishte më e rënda në 18 vitet që instituti studion ekonominë, dhe se ishte sa dyfishi i muajit shkurt i vitit 2009, gjatë recesionit të madh. ADP tha se kompanitë e vogla dhe të mesme shkurtuan miliona vende pune.

Por humbjet e vendeve të punës për muajin prill ka të ngjarë të ishin më të mëdha, pasi përllogaritjet e institutit përfundojnë me 12 prill, duke ruajtur të njëjtin ritëm me statistikat e publikuara nga Departamenti i Punës së Shteteve të Bashkuara.

Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar më shumë se 73 mijë e 400 të vdekur, numri më i madh në të gjithë botën dhe rreth 1,2 milion raste të konfirmuara, duke u rënditur e treta në botë.

Ekonomia amerikane ra 4.8 përqind në periudhën janar-mars. Por efektet e pandemisë filluan të regjistrohen vetëm në gjysmën e dytë të marsit.

Shpenzimet e familjeve amerikane ranë 7.6 përqind në tremujorin e parë dhe investimet në biznese ranë 8.6 përqind, shifra që të lënë për të dëshiruar.

Qeveria do të zbulojë të premten gjendjen e përgjithshme të ekonomisë për muajin prill.

Disa ekonomistë po parashikojnë se raporti do të tregojë një rënie prej 15-20 përqind të prodhimit të brendshëm nga marsi dhe ndoshta shumë më tepër.

Drejtuesi i Rezervës Federale, Jerome Powell, ka paralajmëruar se të dhënat ekonomike të tremujorit të dytë, nga prilli në qershor, do të tregojnë një pamje rrënuese.

Presidenti Donald Trump po kërkon rihapjen sa më parë të bizneseve, ndërsa e pranon se numri i vdekjeve gjithashtu do të rritet ndërsa njerëzit do të kenë kontakte fizike më të mëdha në punë.

Disa hulumtues për virusin po parashikojnë se numri i vdekjeve në Shtetet e Bashkuara mund të shkojë në 134 mijë deri në muajin gusht/VOA.