Pandemia dhe bllokada financiare ia pamundësuan Institutit Arkeologjik gërmimet në terren
Pandemia e COVID-19, mungesa e rregulloreve për punë në terren dhe bllokadat financiare kanë bërë që Instituti Arkeologjik i Kosovës të mos realizojë gërmime në terren gjatë vitit 2020.
Drejtori i IAK-së Enver Rexha ka thënë për KALLXO.com se gjithçka çfarë ka mundur të bëjë IAK gjatë 2020-tës, janë ndërhyrjet emergjente për restaurim dhe konservim.
“Programi i punës për 2020 nuk është përmbushur as 50 për qind nga ai i paraparë, duke pasur parasysh edhe disa ngatërresa administrative, si shfuqizim i rregulloreve që ishte bërë vite më parë, por edhe bllokimi i xhirollogarive në bankat komerciale”, ka thënë Rexha.
Edhe në aspektin infrastrukturor, IAK është përballur me probleme. Tri veturat që posedon ky institucion për punë në terren nuk janë regjistruar që nga 2018, duke bërë që ato të jenë jashtë përdorimit.
Vetëm në mes të muajit nëntor të këtij viti, pas shumë kërkesave Ministria e Kulturës i ka ofruar institutit një makinë për nevoja të ndryshme.
Rexha ka thënë se pa miratimin e akteve të nevojshme ligjore për punë dhe mënyrën e pagesave në terren IAK-ja nuk mund të kryejë punët e planifikuara.
Mungesa e një rregullore të tillë, shton ai, po ia pamundëson institutit të sigurojë punëtorët për punë të caktuar, materialet e nevojshme dhe pagesat shtesë për stafin e angazhuar në terren.
“Hartimi i rregulloreve, dhe sidomos i një rregulloreje të menaxhimit financiar të veprimtarisë arkeologjike (specifike), është mëse e nevojshme. Me miratimin e kësaj rregulloreje ne gjatë veprimtarisë hulumtuese shkencore- gërmimeve arkeologjike do të heqim qafe një sërë ngarkesash administrative, sidomos kur po vjen puna te sigurimi i infrastrukturës së nevojshme që duhet gjatë procesit të gërmimeve dhe pastaj edhe mënyra e shlyerjes së obligimeve financiare”, ka thënë drejtori Rexha.
Sipas tij, IAK e ka të nevojshmem funkionimin e një xhirollogarie bankare për të lehtësuar funksionimin, sidomos në thithjen e donacioneve të ndryshme.
Rexha ka thënë se shpreson që në 2021-tën problemet e IAK-së me kodin buxhetor, llogarinë bankare dhe rregulloret të marrin zgjidhje, për të mundësuar funksionimin normal të institutit.
Sipas tij, për shkak të mungesës së një xhirollogarie instituti nuk ka mundur të marrë një donacion që do t’i mundësonte nxjerrjen nga dheu të një pitosi në Komunën e Kamenicës.
Megjithatë, pavarësisht vështirësive, sipas, drejtorit Rexha, IAK ka kryer ndërhyrje emergjente dhe të mirëmbajtjes në disa prej lokaliteteve arkeologjike dhe në mbledhjen dhe studimin e materialeve arkeologjike të ofruar nga qytetarë të shumtë.