Pandemia, deputetja e AAK-së kërkon nga qeveria të përkrahë me pako gazetarët

Deputetja nga radhët e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të ndajë një pako përkrahëse për gazetarët në Kosovë, për shkak të situatës me pandeminë.

“E fundit që fare nuk është trajtuar, janë mediat dhe gazetarët. Është jashtëzakonisht e nevojshme që kjo qeveri të ndajë një pako përkrahëse edhe për ata që vazhdimisht bashkë me policët, mjekët, arsimtarë, profesorë, qëndrojnë në vijë të parë e ata janë gazetarët. Dhe asnjëherë nuk e kanë pasur asnjë përkrahje institucionale”, theksoi ajo.

Deputetja tha se gazetarët vazhdimisht janë rrezikuar nga COVID-19.

“Shumë prej tyre janë sëmurë, dhe nuk kanë pas asnjë përkrahje, meqë është një profesion po aq i rrezikshëm dhe ata janë po aq në vijë të parë saqë janë edhe profesionet e tjera”, theksoi deputetja.

Kadaj-Bujupi tha se seanca po shpërfillet nga qeveria.

AAK-ja është pjesë e koalicionit qeverisës që udhëhiqet nga LDK-ja.

Kuvendi sot po mban debat parlamentar në lidhje me gjendjen pandemike në vend dhe menaxhimin e situatës me pandeminë COVID-19 në Republikën e Kosovës nga ana Qeverisë.