Pandemia COVID-19, pati ndikim në përmirësimin e ajrit

I ngarkuari me punë në Ambasadën e Japonisë në Kosovë, Mitsunori Ogasawara, tha që pandemia COVID-19 ka ndikuar edhe në cilësinë e ajrit duke bërë që ndotja të zvogëlohet.

Të dhënat rreth situatës me ajrin e përmirësuar, ai i tha në konferencën rajonale përmbyllëse “Projektin e zhvillimit të kapaciteteve për kontrollin e ndotjes së ajrit në Republikën e Kosovës”, e organizuar nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në bashkëpunim me Agjencinë Japoneze (JICA).

Ogasawara ka ftuar vendet pjesëmarrëse në këtë konferencë që të vazhdojnë bashkëpunimin dhe të ulin edhe më tej ndotjen e ajrit në Ballkanin Perëndimor.

“Është kënaqësi e imja të jem këtu në këtë konferencë rajonale për projektin e zhvillimit të kapaciteteve për kontrollin e ndotjes së ajrit. Pandemia ka ndikuar në jetën tonë dhe gjithashtu ka ndikuar edhe në cilësinë e ajrit. Ndotja e ajrit ka ndikuar jo vetëm në Kosovë por edhe në vendet e Ballkanit e edhe më gjerë. Shpresoj se do të punojmë edhe më tutje për të përmirësuar cilësinë e ajrit”, tha Ogasawara.

Visare Hoxha nga Ministria e Mjedisit ka prezantuar aktivitetet që janë kryer në këtë projekt, trajnimet e stafit dhe avancimet e tyre.

Hoxha shtoi se ky projekt ka kushtuar afërsisht 4 milionë euro.

“Gjatë dimrit kemi pasur ndotje më të lartë të ajrit në Prishtinë. Ne kemi vendosur 12 stacione e në disa prej tyre ka pasur edhe tejkalim të vlerave normale. Buxheti i këtij projekti ka qenë afërsisht 4 milionë euro. Prishtina ka pasur ndotje më të madhe dhe mendohet se kjo ndotje ka ardhur nga linjiti e automjetet”, tha Hoxha.

raportin raport vjetor për gjendjen e ajrit 2020 është konstatuar se burimet ndotëse kryesore të ajrit për vitin 2020 në territorin e Kosovës janë ato ekzistuesit që janë përmendur edhe në raportet e mëhershme si: Termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”, djegiet e vogla (ekonomit familjare, furrat e bukës, restaurantet etj.), operatoret industrial dhe operatorët tjerë ekonomik (bizneset), transporti rrugor, deponitë e mbeturinave urbane, bujqësia, gurëthyesit etj.

Në vitin 2020, ashtu edhe në vitet paraprake, stinët vjeshtë-dimër kanë rezultuar më ndotje më të lartë në krahasim me stinët tjera të vitit. Ky nivel i ngritur i vlerave të ndotëseve në ajër është si rezultat i djegieve nga industria, djegiet e lëndës fosile për djegie nga ekonomit familjare, transporti etj. Në këtë sezonë, kushtet meteorologjike ndikojnë shumë në cilësinë e ajrit për shkak të lagështisë së ajrit, të reshurave atmosferike, mjegullave etj.

Parametrat me vlera me të larta në ajër të cilat janë monitoruar nga stacionet monitoruese është vlerësuar së janë grimca e pluhurit PM10/PM2.5.

Në zonën e Aglomeracionit të Prishtinës( AKS1), vlerat e PM10 dhe PM2.5 kanë treguar tejkalime mbi vlerat kufitare nё stacionet monitoriuese IHMK, Rilindje, Obiliq dhe Dardhishtё. Tejkalimet ishin më të theksuara gjatё muajve janar, shkurt, nëntor dhe dhjetor. Në stacionet e IHMK, Rilindje, Obiliq dhe Dardhishtё. Nga të gjitha stacionet e kësaj zone, janë regjistruar 280 ditë me tejkalime të vlerave gjatë vitit 2020. Parametrat tjerë si SO2, O3, CO, kanë rezultuar me vlera me të ulëta se sa është lejuar sipas standardeve. Vlerat e NO2 më përjashtim të muajt janar, kanë rezultuar me të ulëta në krahasim me vlerat e lejuara.

Në zonën ZKS1, me përjashtim të parametrave të PM10, PM2.5, të cilat janë vlerësuar me vlera më të larta gjatë muajve të stinës vjeshtë-dimër, parametrat tjerë si SO2, NO2, CO, O3, kanë rezultuar nën vlerat standarde.

Vetëm gjatë vitit 2020, në këtë zonë janë regjistruar 323 ditë me tejkalime të vlerave të PM10.

Që nga viti 2018-2020, trendi i nivelit ndotës të parametrave si PM10, PM2.5, SO2. NO2, O3, CO, ka treguar rënie progresive. Kjo tregon së përmirësimet në infrastrukturë dhe investimet në mjedis kanë ndikuar që këto ndotës të jenë me nivele me të ulët në ajër.

Edhe në vitin 2020, si nga viti paraprak emisionet ndotëse të pluhurit nga Termocentrali B, kanë qenë shumë të larta nëse merren si krahasim me vlerat e pluhurit në Termocentralin A. Shkarkimet e SO2 dhe NOX nga dy termocentralet gjatë gjithë vitit 2020 kanë qenë mbi vlerën e lejuar sipas standardeve.

Sipas raportit, emisionet ndotëse të pluhurit, SO2 dhe NOX, CO nga Feronikeli, kanë qenë nën vlerat e lejuara gjatë gjithë vitit 2020. Nga operatori i Sharrcemit, shkarkimet e ndotëseve në ajër si pluhurit, SO2 dhe NOX, gjatë gjithë vitit 2020, kanë qenë nën vlerat e lejuara sipas standardeve.

KALLXO.com për çdo ditë publikon lajme për cilësinë e ajrit në Kosovë, duke iu referuar matësve monitorues të vendosur në disa pika nga IHMK.