Panama, të paktën 39 emigrantë humbin jetën në një aksident me autobus

Të paktën 39 emigrantë kanë vdekur në një aksident autobusi në Panama, pasi udhëtuan për ditë të tëra nëpër xhunglat jugore të vendit të Amerikës Qendrore, në rrugën e tyre drejt një jete të re në SHBA.

Aksidenti ndodhi në orët e para të së mërkurës, ndërkohë që një kolonë autobusësh po udhëtonte nga kufiri i Panamasë me Kolumbinë drejt një qendre pritjeje emigrantësh pranë qytetit të Gualaca.

Presidenti i Panamasë, Nito Cortizo, tha se ekipet qeveritare po punonjnë për t’i ndihmuar të mbijetuarit dhe shkroi në Twitter se “ky është një lajm i mjerueshëm për Panamanë dhe rajonin”.

Ministri i Jashtëm i Kubës, Bruno Rodríguez Parrilla, tha se qytetarët e vendit të tij ishin gjithashtu të përfshirë dhe i dërgoi ngushëllimet e tij për viktimat e “aksidentit të tmerrshëm”.

Dhjetëra mijëra haitianë janë derdhur nëpër pyjet e rrezikshme tropikale të hendekut Darién midis Kolumbisë dhe Panamasë në vitet e fundit, ndërkohë që atdheu i tyre në Karaibe ka rënë më thellë në krizë humanitare dhe politike.

Mijëra kubanë e kanë bërë të njëjtin udhëtim duke shpresuar ta tejkalojnë persekutimin politik në rritje dhe grindjet ekonomike në shtëpi.

Pothuajse 70,000 venezuelianë udhëtuan gjithashtu nëpër Darién vitin e kaluar, ndërkohë që vendi i tyre vazhdoi të tërhiqej nga një nga kolapset më të rënda ekonomike jashtë një zone lufte në historinë e fundit botërore. Një total prej afro 250,000 njerëz e bënë udhëtimin vitin e kaluar krahasuar me rreth 133,000 në vitin 2021, sipas statistikave zyrtare./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala