Panairi Kombëtar i Punës, Karrierës dhe Ndërmarrësisë 2022. FOTO; KALLXO.com

Panairi Kombëtar të Punës, Karrierës dhe Ndërmarrësisë 2022 - 200 kompani pjesëmarrëse

Sot po mbahet Panairi Kombëtar i Punës, Karrierës dhe Ndërmarrësisë 2022 i organizuar nga Qeveria e Kosovës, GIZ-i gjerman, Universiteti i Prishtinës dhe Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare (KDWV).

Përmes këtij panairi të ndarë në tri pavijone: atë të punës, karrierës dhe i ndërmarrësisë pjesëmarrësit do të kenë mundësi të eksplorojnë vendet e lira të punës dhe mundësitë e tjera të cilat prezantohen prej 200 kompanive dhe institucioneve pjesëmarrëse.

Panairi Kombëtar i Punës, Karrierës dhe Ndërmarrësisë 2022. FOTO: KALLXO.com
FOTO: KALLXO.com

Rrahim Trepça, përgaqësues i GIZ-it gjerman shpjegoi se ky edicionin i këtij panairi është i shtati me radhë që po organizohet dhe se risi këtë herë është pavijoni i ndërmarrësisë.

“Këtë vit ofrohet edhe një komponentë shtesë i cili është komponenti i ndërmarrësisë ku kryesisht synohet rrjetëzimi i bizneseve, shkëmbimi mes tyre dhe ndonjë bashkëpunim potencial. Përveç kësaj është edhe pjesa e karrierës dhe e punës ku mbi 200 kompani ofrojnë vende të lira të punës dhe mundësi për punë praktike”- shpjegoi ai për KALLXO.com

Në këtë ngjarje nuk munguan as përfaqësuesit institucional ku Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari tha se Kosova ka potencialin kryesor rininë dhe me këtë potencial mund të arrihet shumë për zhvillim dhe transformim të industrisë.

Mirëpo, ajo shtoi se mungon më shumë aftësim profesional.

“Vëmendje e lartë është për t’i kushtuar arsimit dhe aftësimit profesional por edhe karrierës për të rinjtë tanë sepse shumë biznese marrin studentët ose nxënësit pa përvojë dhe kjo e sjellë në sfidë biznesin deri në 6 muaj për të përgatitur një punëtorë për të qenë i gatshëm për punë”- tha Hajdari.

“Në këtë rast, me politikën industriale dhe me ligjin për odën ekonomike ne do të sjellim më shumë proaktivitet të industrisë sonë për arsim dhe aftësim profesional”- shtoi ministria.

Në anën tjetër, Rektori i Universitetit të Prishtinës (UP), Qerim Qerimi tha se edicioni i sivjetshëm i këtij panairi është përditësuar dhe i kushtohet rëndësi edhe ndërmarrësisë.

Ai ndër të tjera theksoi se Universiteti i Prishtinës ka nevojë për përditësim.

“UP ka gjithashtu nevojë të përhershme për përditësim. Universiteti ka nevojë të ndjek trendin botëror në zhvillimin e kutikulave studimore dhe sigurisht në zbatimin e tyre të duhur e rigoroz”- u shpreh Qerimi, i cili tha se po punohet në krijimin dhe avancimin e programeve studimore që kërkohen në tregun e punës.

“Duke e parë këtë nevojë kam paraparë krijimin ose ndjekjen e qasjeve të reja për profesione. Pra, ne po punojmë në krijimin dhe avancimin e programeve studimore që kërkohen në tregun e punës”- tha ai.

Kështu, gjatë ditës ky panair u vërshua nga pjesëmarrësit që kishin ardhur për të mësuar më tepër rreth mundësive që u ofrohen nga kjo ngjarje.

Në mesin e tyre ishte edhe Ajshe Gavazi, studente në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj e cila kishte ardhur për t’i parë mundësitë që i ofrohen asaj për trajnime, punë apo praktikë.

“Është hera e parë që po marrë pjesë dhe po më duket shumë mirë, më bën përshtypje laramania e opsioneve dhe prodhimet vendore”- tha Gavazi për KALLXO.com

Ndërkaq, Rrahim Trepça, përgaqësues i GIZ-it gjerman shpjegoi se panairi i sotëm do të zgjasë deri në ora 16 derisa pjesa online do të vazhdojë edhe për dy javë.

“Kjo zgjat deri në ora 16:00 pjesa fizike. Kurse, pjesa virtuale vazhdon edhe për dy javë tjera ku personat mund të kyçen online dhe t’i shohin mundësitë e vendeve të punës që ofrohen nga kompanitë”- shpjegoi Trepça për KALLXO.com.