Pamjet nga QKUK demantojnë "krenarinë" e Kadri Veselit

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka disa ditë që ka nis një fushatë nga hapësirat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës duke promovuar punët që janë bërë atje dhe duke u deklaruar kundër korrupsionit.

Përmes postimeve në rrjetin social Facebook, Veseli ka treguar për investimet në objekte. Ndërsa, ditë më parë, dy ministra nga PDK, Bedri Hamza dhe Uran Ismaili, takuan mjekët për t’u dhënë një lajm rreth rritjes së pagave.

Ndonëse Veseli çdo ditë promovon punën në QKUK, gjendja në objektet e këtij institucioni shëndetësor duket ndryshe.

Në disa video të xhiruara nga KALLXO.com gjatë ditës së sotme (20.08), shihet se toaletet në disa prej klinikave në QKUK janë në gjendje të rëndë dhe jashtë përdorimit.

Toaletet në Klinikën e Kirurgjisë janë me gypat të ujit të prishur, ndërsa dy prej toaleteve janë të mbyllura për pacientët e kësaj klinike.

Gjendje e rëndë është edhe në toaletet e Klinikës për Vesh, Hundë dhe Fyt (ORL). Në katin e parë dhe të tretë, WC-të kanë probleme me ujin, ndërsa njëra prej tyre nuk është në përdorim fare.

Hiç gjendje më e mirë nuk është as në toaletet e Klinikës së Gjinekologjisë. Në këtë klinikë një toalet është në përdorim, ndërsa tjetri jo.