Ilustrim
Pamjet nga arrestimet në Istog dhe Klinë
Dyshimet për keqpërdorim të detyrës dhe konfliktit të interesit për ndërtime pa leje kanë nxitur Prokurorinë e Shtetit që të nisë hetime për drejtorët e Urbanizmit në komunat e rajonit të Dukagjinit.
Pas dyshimeve filloi grumbullimi i fakteve e deri te momenti i aksionit të Policisë së Kosovës të datës 15 korrik që rezultoi me arrestimin e zyrtarëve komunalë në Pejë, Istog dhe Klinë.
Emisioni “Kallxo Përnime” sjell pamje nga aksioni i Policisë në bashkëpunim me Prokurorinë kur arrestohen zyrtarët e Urbanizmit në Istog dhe Klinë.
Numri i zyrtarëve të arrestuar nga ky aksion i Policisë është 10, të cilët tashmë janë duke u ballafaqur në Gjykatë.
Në mesin e tyre janë Rajan Arapi, drejtori i Urbanizmit në Pejë, Ramë Melaj, drejtori i Urbanizmit në Deçan, Jashar Blakaj, drejtori i Urbanizmit në Istog dhe Lorenc Marleku, drejtor i Urbanizmit në Komunën e Klinës.
Aksionin në Istog e ka pasur përsipër prokurori i shtetit, Arben Hoti.
Hoti në emision tregon se me këtë kontroll po zbatohet urdhëri i Gjykatës për urdhër kontroll.
“Varësisht nga të gjeturat do të bëhet edhe arrestimi i personave. Prokuroria ka nisur hetimet e këtij rasti kohë më parë dhe sot jemi në zbatim të urdhër-kontrollit si rezultat i provave që kanë rrjedhur mbi bazën e dyshimet se perosnat zyrtarë kanë kryer vepër penale për të cilën ata edhe dyshohen”, thotë Hoti.