Gjimnazi "Haxhi Zeka" në Istog - Foto: Facebook

Pamjet e nxënësve duke dëmtuar inventarin e shkollës në Istog, sipas drejtorisë së Gjimnazit 'Haxhi Zeka' janë të para dy viteve

Një video ku shihen disa nxënës të Shkollës e Mesme të Lartë “Haxhi Zeka” në Istog ka qarkulluar gjatë ditës së sotme në media online. Në këtë video shihen disa nxënës të cilët janë duke e dëmtuar inventarin brenda një klase.

Në videon që ka qenë e publikuar në rrjetin social “Tik-Tok”, nxënësit dëmtojnë pajisjet në shkollë, dëmtojnë tastiera, konsumojnë duhan brenda shkollës dhe thyejnë dyertë.

KALLXO.com ka kontaktuar me drejtorin e gjimnazit, Ibrahim Bytyqi, i cili ka thënë që rasti nuk ka ndodhur në këtë shkollë dhe është një propagandë e qëllimshme.

“Ato hapësira nuk kanë të bëjnë me gjimnazin “Haxhi Zeka”, që do të thotë kjo është një propagandë e qëllimshme për ta zbehur menaxhmentin në shkollë, me vendos hije të keqe në shkollë”, u shpreh ai.

Mirëpo para pak qastesh Gjimanzi “Haxhi Zeka” me anë të një njoftimi në “Facebook” ka treguar që rasti ka ndodhur në këtë shkollë, mirëpo para dy vitesh.

“Një video e cila po qarkullon kohëve të fundit në portale ku shihen nxënës të Gjimnazit “Haxhi Zeka” në Istog duke i dëmtuar pajisjet shkollore dhe inventarin shkollor është video e para 2 viteve ku shihen nxënësit me iniciale E. Z., V. Z. dhe E. H., ndaj të cilëve shumë herë janë shqiptuar masa ndëshkuese disiplinore”, thuhet në njoftim.

Në lidhje me rastin, komandanti i Stacionit Policor në Istog, Enver Gashi ka thënë se kanë qenë në vend të ngjarjes dhe sipas drejtorit rasti nuk ka ndodhur në gjimnaz.

“Ne kemi bisedu me drejtorin e gjimnazit dhe nuk janë ato incizime të gjimnazit sipas drejtorit, e tash mbetet nga ana jonë me verifiku se a ka ndodh në zonën e Istogut apo diku tjetër”, u shpreh ai.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe kryetarin e Komunës, Ilir Feratin. Ai tha se ato sjellje nuk janë normale.

“Unë e kam kryer gjimnazin në Istog dhe sipas pamjeve dukej sikur në gjimnaz, mirëpo po i presim raportet për t`u marr masat”, u shpreh Ferati.

Sipas informacioneve që posedon KALLXO.com është intervistuar nga ana e Policisë edhe drejtori i shkollës dhe njëri nga nxënësit e dyshuar.