Foto nga momenti i plagosjes, Foto: KALLXO.com

Pamjet dhe rrethanat e plagosjes së vitit 2021 në Pejë

Një dosje hetimore e gjykatës së Pejës është zbardhur së fundmi pas ankesave të avokatëve mbrojtës. Brenda dosjes janë shpërfaqur pamjet kur një i ri nga Peja qëllon në drejtim të disa personave me pistoletë.

L.L është personi që akuzohet se mbrëmjen e 24 marsit qëlloj disa herë me pistoletë.

Sipas dosjes Gjykata e Pejës ka dënuar me 3 vjet e 6 muaj burg, për veprën penale të vrasjes në tentativë në rrethana të tejkalimit të mbrojtjes ndërsa për armëmbajtje pa leje 1 mijë euro, 20 vjeçarin me inicialet L.L.,

Në anën tjetër të plagosurin A.N, 41 vjecar, në ngjarjen që kishte ndodhur në orët e mbrëmjes së 24 marsit 2021, Gjykata në Pejë ka shqiptuar dënimin prej 7 muaj burg efektiv për veprën penale sulmi.

Dosja e aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë, thotë se 41 vjeçari A.N.,  kishte përdorur forcën me dashje ndaj të akuzuarit tjetër L.L., pasi që pas një konflikti verbal fton ketë të fundit të sqarohet, e më pas kishin shkëmbyer fjalë dhe e kishte goditur në kokë ndërsa me të dy duart e shtynë 20 vjeçarin.

KALLXO.com ka siguruar një video incizim në të cilin shihet plagosja por jo edhe pjesa e cila është përshkruar në aktakuzë ku 41 vjeçari godet me kokë 20 vjeçarin.

Në pamjet e siguruara nga KALLXO.com, shihet se dy të lartpërmendurit kanë pasur një komunikim verbal, ndërsa tutje shihet edhe se si 20 vjeçari pasi largohet nga makina nxjerr armën dhe gjuan drejtë A.N., djalit të tij dhe mikut të tij.

Gjatë gjuajtjes me armë, plagoset 41 vjeçari me një plumb në pjesën e abdomenit.

20 vjeçari L.L., sipas prokurorisë, pasi ishte larguar nga vetura e Nikçit kishte nxjerrë armën e tipit “Zastava” nga çanta e tij dhe kishte shtënë me armë në një distancë afërsisht prej 2 metrave.

Në dosjen hetimore përmendet edhe fakti se 20 vjeçari pasi kishte kryer plagosjen ishte larguar nga vendi i ngjarjes dhe për një kohë kishte qenë në arrati e më pas ishte dorëzuar në polici së bashku me armën me të cilën kishte kryer krimin.

Ai ishte arrestuar më 5 maj të vitit 2021.

Më 7 korrik të vitit të kaluar, Gjykata Themelore në Pejë kishte dënuar A.N., me 7 muaj burgim efektiv për veprën penale të sulmit ndërsa 20 vjeçarin L.L., me 3 vite e 6 muaj burgim efektiv për vrasjen në tentativë dhe 1000 euro gjobë për armëmbajtje pa leje.

Për këtë vendim palët kishin ushtruar edhe të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit.

Në ankesën që ka siguruar KALLXO.com, thuhet se në vendimin e shkallës së parë pra Gjykatës Themelore të Pejës, ka pasur shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetim të gabueshëm dhe jo të plotë të gjendjes faktike si dhe endim mbi sanksion penal.

Sipas ankesës së avokatit të palës A.N., Dritëro Kollqaku,  gjykata në Pejë nuk ka vërtetuar arsyet dhe nuk e ka të bazuar vërtetimin se klienti i tij ka kryer veprën penale të sulmit.

Avokati i 20 vjeçarit L.L., sipas ankesës që ka siguruar KALLXO.com, ka pretenduar se aktgjykimi i gjykatës në Pejë, duhet të ndryshohet në pikën 1.

Gjykata e Apelit në tetor të vitit 2022 i kishte refuzuar ankesat e dy avokatëve nën pretendimin se ankesat e tyre kanë qenë të pabazuara.

Avokati Dritëro Kollqaku ka ushtruar ankesë edhe në Gjykatën Supreme të Kosovës, në lidhje me vendimin e Apelit. Deri më tani Kollqaku nuk ka pranuar ndonjë përgjigje.