Foto: KALLXO.com

Pamje - Vazhdon greva e punëtorëve të KEDS-it dhe KESCO-s

Mëngjesi i sotëm e gjeti Këshillin Grevist të punëtorëve të Kompanisë Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike në Kosovë (KEDS) dhe Kompanisë Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) duke mbajtur për të dytën ditë me radhë grevën përmes së cilës po kërkojnë rritje të pagave për 100 euro.

Kjo grevë e cila po mbahet para objektit të KEDS/KESCO ka filluar nga ora 08:30 dhe pritet të zgjasë deri në 10:30.

KALLXO.com ka siguruar disa pamje nga greva e sotme.

Federata e Sindikatave të Pavarura Elektrokosova (FSPE) ka paralajmëruar se greva do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

“Derisa çmimet e konsumit po ngriten çdi ditë punëtorët e KEDS/Kesco vazhdojnë të marrin të njëjtat paga edhe që nga viti 2018 (kur u ngritën pjesërisht).
Derisa edhe sot të gjithë punëtorët në të gjitha distriktet jemi në grevë, ne i bëjmë thirrje menaxhmentit të reflektojë dhe të marrë vendim të menjëhershëm për ngritje pagash.
Në të kundërtën, GREVA VAZHDON!”, thuhet në publikimin e tyre në Facebook.

Sipas FSPE, një grevë e tillë do të mbahet edhe ditën e nesërme, mirëpo e njëjta pritet të zgjasë tre orë.

Edhe gjatë ditës së djeshme është mbajtur grevë e cila ka zgjatur një orë.