Qytetari i maskuar në Zveçan duke gjuajtur në drejtim të KFOR-it. FOTO: KALLXO.com
Pamje të personave të maskuar në Zveçan që gjuanin, provokonin dhe pështynin KFOR-in
Sot gjatë ditës ka pasur përsëri tensione në veri të Kosovës, konkretisht në komunat e Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit.
Protestues serbë janë tubuar para objekteve të kuvendeve komunale të këtyre komunave për të mos i lejuar kryetarët e rinj që të hyjnë në komunë.
Në Zveçan, por edhe komuna të tjera sot janë parë persona të armatosur, në rroba të zeza dhe të maskuar.
KALLXO.com ka siguruar pamje nga gjendja e sotme në Zveçan ku persona të maskuar kanë gjuajtur, provokuar dhe pështyrë në drejtim të ushtarëve të KFOR-it.
Aty fillimisht është parë një person me maskë anti-covid dhe i veshur me rroba të zeza që ka gjuajtur në drejtim të KFOR-it. Më pas ai është larguar dhe ka ardhur një tjetër person i maskuar që ka gjuajtur në drejtim të KFOR-it, më pas u ka treguar gishtin e mesëm dhe ka pështyrë në drejtim të tyre.
Sot ka pasur edhe përleshje mes protestuesve dhe trupave të KFOR-it. Protestuesit serbë nuk kanë pranuar të binden ani pse KFOR-i paraprakisht i ka paralajmëruar protestuesit që të shpërndahen.
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR ka deklaruar se janë rreth 25 ushtarë të plagosur gjatë ndalimit të protestuesve që ndodhi në komunën e Zveçanit.
Po ashtu, sot gjatë ditës, janë sulmuar disa media që po raportojnë nga veriu i vendit.