Arrestim i një të dyshuari nga Policia e Kosovës - Foto: KALLXO.com

Pamje ekskluzive, arrestimi i policit të dyshuar për abuzim seksuali

Pamje ekskluzive të arrestimit të zyrtarit policor nga rajoni i Gjilanit po transmetohen në emisionin “Kallxo Përnime”.

Polici me inicialet R. Sh., u arrestua të mërkurën e javës së kaluar nën dyshimet se ka kryer veprën penale të sulmit seksual ndaj një të miture.

Informacionet fillimisht ishin nga ana e zyrtarëve komunalë të cilët njoftuan Prokurorinë e Gjilanit ndërsa kjo e fundit të njëjtat informacione i barti në Inspektoratin Policor të Kosovës.

Në ditën kur do të ndodhte arrestimi, zyrtari policor ishte në pushim ndërsa i njëjti u has në një rrugë ku edhe iu kumtua lajmi se është i arrestuar me vendim të Prokurorisë.

Në emisionin e sotëm u shfaqën pamjet gjatë arrestimit të policit në rrugë ndërsa i njëjti u kontrollua nëse e ka armën e tij zyrtare e më pas u dërgua për intervistim.

Pasi u përball me provat që ishin siguruar gjatë hetimit disamujor nga ana e IPK-së, polici do të dërgohej në ndalim për 48 orë me vendim të prokurorit të Prokurorisë së Gjilanit.

Para se të dërgohej në ndalim, sipas udhëzimeve të qendrave të ndalimit në stacion policore për shkak të COVID-19, polici u dërgua për kontrollë mjekësore në mënyrë që të vërtetohet se i njëjti nuk ka ndonjë simptomë të coronavirusit.

“Kallxo Përnime” po transmeton punën disamujore të Prokurorisë së Gjilanit dhe Inspektoratit Policor të Kosovës, ku hetuan një zyrtar policor i cili dyshohej se ishte përfshirë në një aferë të sulmit seksual.

Shefi i Divizionit për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në IPK, Bardhyl Haxhimustafa gjatë kohës së vëzhgimit tregoi se sa të rëndësishme janë provat dhe materiale lidhur me rastin ku dyshohej se ishte përfshirë polici.

“Këto masa janë të rëndësishme sepse vepra penale për të cilën IPK ka hapur hetim penal është vepër bukur komplekse dhe kjo vepër penale duhet të argumentohet shumë mirë që të procedohet në prokurori me Kallëzim Penal në mënyrë që prokuroria të ketë prova materiale ta ngrit aktakuzën dhe rasti të procedohet në gjykatë dhe të vërtetohet edhe kryerja e veprës penale sulm seksual”, tregoi Haxhimustafa duke shtuar se IPK ka kapacitete që hetime të tilla të kryej në bashkëpunim me Divizionin për Mbështetje Teknike i cili gjendet po ashtu në Inspektorat.

Tutje Haxhimustafa i cili për disa muaj hetoi rastin e policit të përfshirë në aferën e sulmit seksual ndaj të miturës, tregoi edhe se si kishin ardhur deri te informacioni.

“Inspektorati Policor i Kosovës me autorizim të Prokurorisë Themelore në Gjilan është duke hetuar veprën penale sulm seksual ku në këtë vepër penale dyshohet se është i përfshirë një pjesëtar i Policisë së Kosovës. Sonte jemi duke aplikuar masa të fshehta siç janë vëzhgimi dhe përgjimi i telekomunikimit. Jemi të ndarë në disa ekipe që do të bëjnë përcjelljen e të dyshuarit në regjionin e Gjilanit me qëllim të grumbullimit të provave materiale në drejtim të zbardhjes së veprës penale sulm seksual”, tregon tutje kreu i Divizionit për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në IPK.

Pasi ishin informuar se çka po ndodhte e edhe se kush ishte i dyshuari, Prokuroria e Gjilanit kishte autorizuar IPK-në që të zhvillonin masat e fshehta për të zbardhur rastin.

Në emisionin e sotëm u transmetuan pamje ekskluzive të vëzhgimit të policit e madje edhe të arrestimit të tij.

Një e mitur dyshohet se është sulmuar seksualisht nga zyrtari policor ndërsa, ekzaminimet mjekësore kanë treguar se e mitura ka pasur edhe zhvillim të vonshëm mendor.