Pamje - Specialët ndërhyjnë nga malet e Karaçevës

Me të marrë dritën e gjelbër, ekipet policore filluan aksionin i cili vuri në pranga rreth 35 persona të dyshuar për organizim të lojërave të fatit dhe kontrabandë.

Pamjet ekskluzive të bastisjeve në 13 kazinotë në fshatin Karaçevë u transmetuan sonte në emisionin “Drejtësia në Kosovë”.

Në më shumë se 12 muaj hetime, zona e cila konsiderohej si e paprekshme u bastis ndërsa u rrënuan edhe objektet të cilat funksionuan si kazino ku luheshin edhe lojërat e fatit.

Të vendosur në lokacione të ndryshme, Njësiti policor për Intervenime filluan aksionin i cili po zhvillohej para orës 21 në mbrëmjen e 18 shtatorit në Karaçevë.

Nga mali, policia fillon ndërhyrjen ndërsa të parët që hasen para objekteve ku funksiononin si kazino ishin disa persona të cilët u arrestuan e më pas u ndaluan edhe disa vetura të cilët tentuan të iknin nga zona.

Pas arrestimeve të para, filloi edhe bastisja brenda kazinove. Dyert e kazinove u thyen ndërsa ekipet policore u futën brenda për të parë nëse ka lojtarë të bixhozit ose ndonjë gjë e cila konsiderohej e jashtëligjshme.

Pamjet ekskluzive të transmetuara sonte, shfaqën edhe punën e cila rezultoi pas më shumë se një viti hetime intensive.

Në vendin ku kishin filluar bastisjet, ishte edhe prokurorja e rastit Rozelida Manastiri.

Po atë natë urdhri u dha edhe për krijimin e post- blloqeve në mënyrë që policia dhe hetuesit e IPK-së të ndalonin të dyshuarit që ishin larguar nga vendi i ngjarjes.

Vetëm nga krijimi i post-blloqeve në hyrje dhe dalje të fshatit Karaçevë, rezultoi i suksesshëm pasi që u arrestuan disa nga të dyshuarit të cilët ishin në listat e institucioneve të rendit të cilët po zhvillonin aksionin.

Gjithashtu për të parë ecurinë e aksionit dhe bastisjeve, prokurorja Rozelida Manastiri u fut edhe brenda kazionove.

“Nuk po hyjë brenda, u bëra kureshtar se kush ishte brenda. Me këqyrë edhe nëpër tavan dhe kamerat me i marrë”, janë urdhërat që i dha prokurorja për ekipin e hetuesve të policisë të cilët ishin duke kryer bastisjen.

Deri sa bisedon me hetuesin e policisë, prokurorja Manastiri informon atë se për në vendin e ngjarjes ishin nisur edhe ekipet e Doganës së Kosovës dhe ATK-së për të parë dhe bërë konfiskimin e aparaturave të cilat funksionin për lojëra të fatit.

“Po, po qe tash janë t`u ardhë edhe forenzika edhe Dogana e Kosovës”, thotë prokurorja Manastiri.

Brenda kazinos kryesore e cila ishte e para e cila filloi të funksionoj si kazino, u gjetën edhe matrikula të kafshëve të cilat përdoreshin për t`u vendosur kafshëve të kontrabanduara nga Serbia për në Kosovë.

Zona e cila konsiderohej e paprekshme, u bastis ndërsa në aksion morën pjesë qindra zyrtarë policorë, hetues të IPK-së, zyrtarë të Doganës së Kosovës, të ATK-së.

“Jemi në stacionin policor në Muçivërc ku edhe është duke u bërë ndaj zyrtarëve policor të cilët pas bastisjeve që janë duke bërë në lokacionet që janë caktuar, kanë ardhur për të kryer arrestimin e zyrtarëve policor”, tregon prokurorja Manastiri e cila po vëzhgonte aksionin të cilin e kishte hetuar për më shumë se 1 vit.

Aksioni i zhvilluar në fshatin Karaçevë, vuri në pranga mbi 50 persona, 12 nga ta zyrtarë policorë, ndërsa u sekuestruan disa kafshë e madje u rrënuan edhe 12 objekte të cilat funksiononin si kazino ilegale.