Pamje skandaloze nga Ferizaj që investon mijëra euro në pastrim

Pamje të trishtueshme të gjendjes së pastërtisë janë kapur në qytetin e Ferizajt këtë javë.

KALLXO.com ka siguruar fotografi në disa pjesë të qytetit ku shihet sasi e madhe e mbeturinave, madje edhe afër vendeve të dedikuara për hedhjen e mbeturinave.

“Jena msu me pa mbeturina”, tha thjesht Liridona Gashi, banore e Ferizajt.

Në anën tjetër, Komuna e Ferizajt ndan rreth 100 mijë euro në vit për pastrim për dy kompani.

Shyhrete Topalli, udhëheqëse e zyrës për informim në këtë komunë tregoi për KALLXO.com se kush është i paraparë të bëjë pastrimin në Ferizaj.

” Komuna e Ferizajt për kompaninë “Pastërtia” , paguan rreth 39 mijë euro, ndërkaq për kompaninë “Ambienti”, për një vit paguan 60 mijë euro”, tha Topalli

Ndërsa, drejtori i shërbimeve Publike në komunën e Ferizajt, Arben Halili thotë se kanë pasur problem me kontinjerët nëntokësorë.

“Kemi pasur një problem me kontinjerët nëntokësorë, sepse s’kanë pasur mirëmbajtje, ndërsa tani e kemi kontraktu kompaninë dhe kanë filluar riparimin e tyre”, tha Halili.

Besim Shabani shef i pastrimit në kompanin “Pastërtia” në Ferizajt thotë se merren kryesisht me pastrimin  e mbeturinave të grumbulluara në qytet dhe në fshatrat e Ferizajt.

“Ne e bëjmë pastrimin e mbeturinave të grumbulluara dhe i qojmë në njësit e deponive.Ne e kemi komplet Ferizajin me fshatra, disa pjesë vetëm i kemi të ndame në disa fshatra me kompani private, pjesën dërrmuse e kemi ne”, tha Shabani.

Ai gjithashtu tha se angazhon një ekip për të dalur edhe jashtë orarit per të grumbulluar mbeturinat por ndonjëherë thotë se është e pamundur për shkak të hedhjes së mbeturinave në vendet jo adekuate për hedhje të mbeturinave.
KALLXO.com ka provuar të kontaktojë edhe kompaninë  “Ambienti” mirëpo kontakti me ta ka qenë i pamundur deri në publikimin e këtij artikulli.

Më poshtë mund të shihni fotografitë e gjendjes së qytetit:

Shënim: Në lidhje me këtë artikull ka reaguar Komuna e Ferizajt duke thënë se shifrat e shpenzuara për për pastrim nuk arrijnë shumën e raportuar.

“..artikulli është i pasaktë qysh në titull dhe në të dhënat tjera përmes së cilës konstatohet se jepen mijëra euro në pastrim, duke keqëkuptuar rrjedhimisht edhe paraqitur gabimisht të dhënat financiare që kanë të bëjnë me mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbërta si parqet, lapidarët, drunjët dekorativ, varrezat e dëshmorëve të kombit, varrezat e qytetit, mbetjet inerte e të tjera për të cilat komuna e Ferizajt ka ndarë afro njëqind mijë euro (100.000.00) dhe jo sipas pretendimit të artikullit ku nxjerret përfundimi se këto mjete financiare janë ndarë për pastrimin e qytetit (menaxhimin e mbeturinave) “, thuhet në reagim.

Megjithatë,  KALLXO.com para se të publikoj lajmin  ka kontaktuar me zëdhënësen për informim në këtë komunë Shyhrete Topalli , e cila kishte thënë se komuna mirëmban pjesët urbane të qytetit.

“Sa i përkeë pyetjes suaj se cila kompani bën pastrimin e qytetit, në Ferizaj janë dy kompani, Kompania “Pastërtia si dhe ndërmarrja “Ambienti”. Ndërsa sa i përket pastrimit të rrugëve bëhet në të gjithë pjesët urbane të qytetit.Komuna e Ferizajt për kompaninë “Pastërtia”, paguan rreth 39 mijë euro, ndërkaq për kompanin “Ambienti”, për një vitë paguan 60 mijë euro”, pati thënë Topalli.

Ndërsa sa i përket kontinjerëve nëntokësorë kallxo.com ka kontaktuar me Drejtorin e Shërbimeve Publike  Arben Halilin i cili e ka konfirmuar se ka pasur probleme me kontinjerët.

“Menaxhimin e mbeturinave e bënë kompania publike Pastërtia edhe e kemi pas një problem me kontinjerët nëntokësorë sepse s’kanë pas mirëmbajtje ndërsa tani e kemi kontraktuar kompaninë edhe ka filluar riparimin e tyre edhe është rregulluar”, pati thënë Halili

Ky është reagimi i plotë i komunës së Ferizajt:

S Q A R I M
Lidhur me artikullin e publikuar në kallxo.com me titull:
“Pamje skandaloze nga Ferizaj që investon mijëra euro në pastrim”

Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencë, përmes këtij njoftimi jep sqarimin lidhur me artikullin e publikuar dje në portalin Kallxo.com nga gazetarja Diellza Luzha, përmes së cilës paraqiten disa të dhëna të pasakta sa i përket vlerës financiare për pastrimin e qytetit nga mbeturinat siç nxirret përfundimi nga artikulli.

Së pari, artikulli është i pasaktë qysh në titull dhe në të dhënat tjera përmes së cilës konstatohet se jepen mijëra euro në pastrim, duke keqkuptuar, rrjedhimisht edhe paraqitur gabimisht të dhënat financiare që kanë të bëjnë me mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbërta si parqet, lapidarët, drunjtë dekorativ, Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, varrezat e qytetit, mbetjet inerte e të tjera për të cilat Komuna e Ferizajt ka ndarë afro njëqind mijë euro (100,000.00€) dhe jo sipas pretendimit të artikullit ku nxjerret përfundimi se këto mjete financiare janë ndarë për pastrimin e qytetit (menaxhimin e mbeturinave).

Së dyti, nuk qëndron korrelacioni, lidhja mes funksionimit të kontenjerëve nëntokësor dhe pjesëve të ndotura të qytetit të paraqitura në fotografi që tentojnë të krijojnë lidhje mes njëra-tjetrës brenda artikullit.

Së treti, Komuna e Ferizajt ka larguar mbi 1700 tonelata (mbeturina urbane dhe inerte), ka eliminuar afro 50 deponi ilegale të mbeturinave dhe ka vendosur qindra shporta mbeturinash, duke rritur kështu përveç orareve të pastrimit, edhe volumin e masës së mbeturinave që largon brenda 24 orëve në gjithë territorin e Ferizajt.

Përfundimisht, vlera financiare prej afro 100 mijë eurove të cilat në artikull theksohen si investime për pastrim, nuk janë të tilla dhe të ndara për këtë qëllim, por për mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbërta si parqet, lapidarët, drunjtë dekorativ, Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, varrezat e qytetit, mbetjet inerte andaj duke vlerësuar se opinioni publik ka të drejtën dhe ne kemi detyrimin për dhënien e informacionit të saktë, kërkojmë nga ana juaj të korrigjoni këtë gabim si dhe të ripublikoni të plotë artikullin me kohën e rëndësinë e njejtë sipas të dhënave tashmë të sqaruara.