Pamje skandaloze: Nënkryetari i Mitrovicës nga VV në ndejën ku gjuhet me pistoletë

Numri dy i Komunës së Mitrovicës dhe kryetari i Degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë, Faruk Mujka, u pa në një ndejë ku përveç grumbullimit të njerëzve në kundërshtim me masat mbrojtëse ndaj COVID-19, u dëgjuan edhe krismat e revoleve.

Një video e cila është shpërndarë nga një faqe në Facebook, “Jepi zë”, shihen disa persona duke dëgjuar muzikë me çiftelia, ndërkohë që njëri nga ta shuan edhe me armë.

Mujka në një prononcim për KALLXO.com ka treguar se ndeja u organizua pas përurimit të një rruge në fshatin Tërstenë.

Ai ka thënë se nuk i ka pëlqyer veprimi i banorëve të fshatit por qëndroi në ndejë pasi ishte ftuar në shenjë falenderimi.

“Komuna e ka hapur një rrugë të fshatit Tërstenë dhe për shkak të asaj rruge, shumica e fshatarëve atje nuk kanë mujt me pas qasje në shkollë, pas shumë viteve është hapë rruga dhe fshatarët kanë pas dëshirë me na falenderu dhe me e bë një organizim ku na kanë ftu si mysafirë të tyre”, ka thënë  Mujka.

Në këtë organizim ku pati gjuajtje me armë morën pjesë mbi 20 persona. Mujka ka konfirmuar se ngjarja u organizua në oborrin e shkollës së fshatit Tërstenë.

“Njerëzit janë edhe ashtu në depresion, atje është një fshat i thellë, pa qasje e pa të ardhuna. Unë mendoj që sado pak duhet t’i jepet një vullnet me jetu edhe për me punu. Organizimi ka qenë jashtë, në oborr shkolle, kemi qenë 20 vetë, 24-25 vetë edhe, unë e di tash e di që nashta krejt rregullat nuk janë përmbushë, po për besë kaniherë shumë po ka nevojë me pas njëfarë qasje ndaj qytetarëve”, ka thënë ai.

“Nuk është pamje e mirë, nuk me ka pelqy veprimi i tyre i gjuajtjes me armë”, deklaroi në fund nënkryetari i Mitrovicës.

KALLXO.com ka tentuar të marrë një përgjigje nga Policia e Kosovës, rajoni Mitrovicë, në lidhje me rastin, por deri më tani kanë qenë të paqasshëm për koment të menjëhershëm.

 

Kjo nuk është hera e parë kur një zyrtar publik merr pjesë në ndeja ku gjuhet me armë.

Persona tjerë i shtohen aktakuzës ndaj Dardan Gashit e Sami Lushtakut për të shtënat në konak të Limajt

www.kallxo.com