Pamje - Policia në gjendje gatishmërie në rast të protestave të veteranëve

Policia e Kosovës është duke u përgatitur për të qëndruar në gjendje gatishmërie në rast të organizimit të ndonjë proteste nga veteranët e OVL-UÇK-së.

Kjo përgatitje po bëhet para fillimit të seancës së Kuvendit e cila pritet të fillojë në ora 13:00, ku në rend ditë është votimi i projektligjit për pagën minimale.

Ushtruesi i Detyrës së kryetarit të OVL–UÇK, Faton Klinaku dje ka thënë se kjo Organizatë nuk do të protestojë.

Megjithatë, Klinaku ka thënë se nëse votohet ligji, OVL-UÇK do të thërras në protestë.

“Ju duhet që të jeni në kontakt me degët tona në mënyrë që kur ju thërrasim të dilni sa më masovikisht. Nëse ky pushtet e ndryshon ligjin, ne ju thërrasim për protestë ku do të qëndrojmë aty deri në realizimin e të drejtave tona”, ka thënë Klinaku.

Ai u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit që të mos e miratojnë ligjin që mundëson rritjen e pagës minimale pasi sipas tij do të bartin pasoja.

Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë vazhdimin e pikave të mbetura të pa përfunduara nga seanca e kaluar.

Pika e parë e rendit të ditës që do të trajtohet sot është votimi i projektligjit për pagën minimale.

Të hënën e kaluar(6 qershor), Kuvendi i Kosovës nuk ka pasur kuorum për vendimmarrje në lidhje me votimin në parim të  projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore.

Më 6 qershor, para Kuvendit të Kosovës kanë protestuar Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Veteranët kanë protestuar për të kundërshtuar mos përfshirjen e tyre në projektligjin për pagat.