Pamje - Polici u rrëzua në humnerë gjatë aksionit anti-drogë në Dukagjin, KFOR-i e transportoi për në Tiranë me helikopter
Një oficer i policisë shqiptare është rrëzuar në një zonë malore në zonën e Dukagjinit. I njëjti ishte pjesë e një aksioni anti-drogë të policisë së shtetit.
Pas lëndimeve të marra nga rrëzimi në një terren të ashpër, i njëjti është transportuar për në Spitalin Ushtarak të Tiranës falë ndihmës së KFOR-it.
“Falë ndihmës së KFOR-it u mundësua transportimi me helikopter, drejt Spitalit Ushtarak Tiranë, i oficerit të Policisë, i cili, si pasojë e terrenit shumë të vështirë me një shkallë të lartë rrezikshmërie, në një zonë malore të fshatit Shosh, Dukagjin u rrëzua dhe ra në humnerë, një ditë më parë. Oficeri i Policisë u rrëzua gjatë kontrollit në terren së bashku me grupin e kontrollit, në kuadër të planit të masave për kontrollin e territorit, për goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike”, ka njoftuar Policia e Shtetit.
Tutje një njoftim bëhet e ditur se drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano, pas komunikimit me KFOR-in, u bë e mundur që një helikopter i KFOR-it në Kosovë, të nisej me urgjencë nga Kosova në drejtim të Dukagjinit.
“Pavarësisht shkallës së lartë të rrezikshmërisë për ta tërhequr oficerin e plagosur, në helikopter, falë profesionalizmit të ekipit të helikopterit të KFOR-it dhe ndihmës së një grupi special të RENEA-s, u bë e mundur transportimi i oficerit të Policisë nga zona e rrezikshme ku kishte rënë, drejt Spitalit Ushtarak Tiranë”, thuhet në njoftim.
Tutje bëhet e ditur se oficeri i Policisë i është nënshtruar menjëherë një trajtimi të specializuar mjekësor.
“Policia e Shtetit falënderon KFOR-Kosovën për ndihmën e çmuar dhe gatishmërinë e shprehur duke dërguar menjëherë helikopterin, Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, i cili iu përgjigj gjithashtu menjëherë kërkesës për të vendosur në dispozicion të forcave të Policisë, një helikopter, por për shkak të terrenit mjaft të vështirë nuk mund të bëhej e mundur tërheqja e oficerit të plagosur nga vendi deri ku kishin mundur ta nxirrnin me krahë shërbimet e Policisë dhe të ekipit të urgjencës mjekësore. Policia e Shtetit falënderon edhe aktorët e tjerë si Ambasada italiane në Tiranë dhe kolegët italianë që shprehën gatishmërinë, për të na ndihmuar për situatën e krijuar”, thuhet tutje në njoftim.