Pamje - Policët e arrestuar në Gjakovë arrijnë në IPK

Më shumë se 40 policë kufitar të arrestuar nga aksioni i sotëm i Inspektoratit Policor të Kosovës në Gjakovë kanë arritur në objektin e IPK-së ku edhe do të intervistohen.

KALLXO.com ka raportuar nga vendi i ngjarjes lidhur me rastin.

 

Siç mëson KALLXO.com të arrestuar janë thuajse i gjithë stacioni policor kufitar në Gjakovë të cilët po dyshohen për marrje ryshfeti dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Ky operacion i IPK-së është nën koordinim me Prokurorinë Speciale.

Gjithashtu, siç mëson KALLXO.com ndaj zyrtarëve policor të arrestuar do të rekomandohet edhe suspendimi i të njëjtëve dhe se lidhur me rastin IPK ka siguruar pamje me anë të masave të fshehta të zyrtarëve te cilët dyshohet se morën ryshfet gjatë kohës sa ishin në krye të detyrës.

Në anën tjetër, sot gjatë ditës IPK ka dalë më një komunikatë për media ku ka shpjeguar procesin e ngjarjes.

“Operacionit të sotshëm i ka paraprirë një hetim rreth një vjeçar me dyshimin për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme të një numri të zyrtarëve policorë lidhur me veprat penale “marrje e ryshfetit” dhe ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’. Ky operacion i IPK-së i koduar me emrin ‘Pika’ është duke u përkrahur edhe nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës. Në kuadër të këtij veprimeve hetimore dhe operative nga hetuesit e IPK-së pritet që fillimisht të shoqërohen e më pas edhe arrestohen dhjetëra zyrtarë policorë të dyshuar në këtë rast (kryesisht zyrtarë të policisë kufitare) si dhe disa zyrtarë doganorë”, thuhej në njoftim.

Aksioni i IPK, i gjithë stacioni kufitar në Gjakovë i dyshuar për korrupsion