Screenshot: Policia e Shtetit/Facebook

Pamje nga operacioni i sekuestrimit të 430 kilogramëve kokainë në Fier (VIDEO)

Në 20 paleta me sasi prej rreth 24 tonë ‘pleh artificial’ që u sekuestruan nga Policia e Shtetit në Shqipëri ka dyshime të bazuara që gjenden rreth 430 kilogramë lëndë narkotike kokainë.

Në njoftimin e Policisë së Shtetit u tha se vlera e kokainës së sekuestruar, referuar shitjes në tregun me pakicë, kap shifrën rreth 40 milionë euro.

“Janë sekuestruar 20 paleta me rreth 24 ton ‘pleh artificial’, brenda të cilit, ekzistojnë dyshime të arsyeshme, të bazuara në prova se gjendet një sasi prej rreth 430 kg lëndë narkotike kokainë, vlera e së cilës, referuar shitjes në tregun me pakicë, kap shifrën rreth 40 milionë euro” – ka thënë Policia.

Operacioni i Policisë i titulluar “Konsistenca” u zhvillua në bashkëpunim me Policinë malazeze dhe agjencitë e tjera ligj zbatuese.

Nga ky operacion të arrestuar deri më tani u tha se janë 10 shtetas të cilëve iu është ekzekutuar masa e sigurisë “Arrest dhe burg” nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.

Operacioni u krye në tri qytete, Tiranë,  Lushnje dhe Fier ku u kontrolluan 14 ambiente të ndryshme nga strukturat e Policisë.

Nga i gjithë operacioni u sekuestruan gjashtë armë zjarri, dy armë gjahu, municion luftarak, rreth 16 mijë euro dhe 20 paletat ky dyshohet se gjendet kokaina.

Në njoftimin e Policisë së Shtetit tregohet se drejtori i përgjithshëm, Muhamet Rrumbullaku, ka falënderuar të gjithë trupën policore të angazhuar për finalizimin me sukses të këtij operacioni.