Foto: Shërbimi i Kërkim - Shpëtimit Malor të Kosovës

Pamje nga operacioni i kërkim-shpëtimit të pjesëtarit të Ambasadës britanike në Malet e Sharrit (FOTO)

Shërbimi i Kërkim – Shpëtimit Malor të Kosovës ka treguar se si ka ndodhur aksidenti i pjesëtarit të Ambasadës britanike në Kosovë derisa po ngjitej në Malet e Sharrit.

Ata kanë treguar se në orën 14:20 kanë pranuar një thirrje telefonike për ndihmë në një aksident malor në zonën e qendrës skitare të Brezovicës.

ShKShMK menjëherë ka lajmëruar Policinë e Kosovës për aksidentin dhe ka filluar koordinimin e shpejtë me anëtarët dhe institucionet e sigurisë.

“Fatmirësisht është arritur që të kontaktohet i lënduari (shtetas i huaj) dhe i njëjti ka dërguar koordinatat e vendodhjes së tij. Me anë të telefonit është kontaktuar edhe personi i dytë që ka qenë në aktivitetin bjeshkatarisë së bashku me të lënduarin, por nuk kishte pasur çasje vizuale te i lënduari shkaku i terrenit malor” – thuhet në njoftim.

Në njoftim thuhet se të dy janë këshilluar në telefon për të qëndruar të qetë dhe iu është treguar për elemente të tjera të sigurisë.

Në një koordinim të shpejtë me policinë dhe qendrën skitare është mundësuar transportimi i shpejtë i shpëtuesve malorë me teleferik në pikën më të lartë.

“Dhe nga aty tre shpëtues malorë të ShKShMK-së, një polic i Kosovës dhe një shpëtues i qendrës skitare të Brezovicës, kurse skuadra tjetër e ShKShMK ishin nisur për tu ngjitur drejt të lënduarit me pajisje për ndihmë dhe evakuim tokësor” – theksohet në njoftim.

Ndërkohë ekipet e Zjarrfikësve nga Shtërpca kishin filluar mbështetjen dhe afrimin në zonë.

I lënduari është lokalizuar në orën 16:25 në vendin e quajtur ‘Shkëmbi i kuq’, masivi i Piribregut/Malet e Sharrit, i cili kishte rrëshqitur në faqe malore rreth 450 m, dhe i është dhënë ndihma e parë.

“Pas një koordinimi të vazhdueshëm me institucionet e RKS-së dhe KFOR-in kemi kërkuar që te bëhet evakuimi nga ajri, shkaku i natyrës së lëndimeve” – vazhdon njoftimi.

Po ashtu në njoftim thuhet se një helikopter i KFOR-it ka mbërritur në koordinatat e dërguara dhe i lënduari është evakuuar deri te helikopteri dhe është transportuar deri në kujdesin mjekësor

“Të lënduarit i dëshirojmë shërim të shpejtë, dhe i falënderojmë të gjithë pjesëmarrësit në këtë operacion: ShKShMK, Policinë e Kosovës, Zjarrfikësit, KFOR-in, Kërkim-Shpëtimin e Brezovicës, Qendrën Skitare të Brezovicës, vullnetarët të tjerë” – përfundon njoftimi.

Foto: Shërbimi i Kërkim – Shpëtimit Malor të Kosovës
Foto: Shërbimi i Kërkim – Shpëtimit Malor të Kosovës
Foto: Shërbimi i Kërkim – Shpëtimit Malor të Kosovës
Foto: Shërbimi i Kërkim – Shpëtimit Malor të Kosovës
Foto: Shërbimi i Kërkim – Shpëtimit Malor të Kosovës