Foto: Ilustrim

Pamje nga incidenti në Prizren pas të cilit u arrestua ish-kryetari i OVL të UÇK-së

Faton Klinaku, ushtrues i detyrës së kryetarit të OVL- UÇK, ka reaguar përmes një statusi në Facebook në lidhje me arrestimin e ish- kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës pas një incidenti që ka ndodhur mbrëmë në një kafene në Prizren.

“Në videon që më erdhi, nuk shihet kanosje ndaj zyrtarit policor por, shihet dhunë e ushtruar ndaj një invalidi me shkallë të rëndë nga ana e zyrtarit policor”, ka shkruar Klinaku.

Tutje ai ka kërkuar që Fazliu të lirohet dhe të hetohet dhuna e ushtruar nga pjesëtarët e policisë.

“Kërkoj lirimin e menjëhershëm të tij dhe rasti të shkoj në procedurë të rregullt, si dhe duhet që të hetohet edhe dhuna e ushtruar nga ana e policisë apo e zyrtarëve policor”, thuhet tutje në njoftim të Klinakut.

Klinaku ka publikuar edhe një video- incizim ku shihet Fazliu deri sa bisedon fillimisht me disa zyrtarë policorë e që më pas të njëjtit sipas pamjeve të publikuara e shtyjnë Fazliun, i cili rrëzohet në tokë.

KALLXO.com raportoi mëngjesin e sotëm se pas një incidenti në një kafeteri në rrugën “Tranziti i Ri” në Prizren është arrestuar ish- kryetari i OVL- UÇK, Faik Fazliu.

Sipas Policisë i njëjti është arrestuar nën dyshimin se ka kanosur një zyrtar policor të cilët ishin në asistim të Inspektoratit të AUV-it, gjatë inspektimeve për respektimin e masave kundër COVID- 19.