Pamje nga bastisjet në 'Lagjen e Boshnjakëve' në veri

Mëngjesin e sotëm Policia e Kosovës njoftoi se një makinë e zyrtarëve policor në veri të vendit është sulmuar sërish me armë.

Sipas njoftimit zyrtar, nga ky sulm nuk pati të plagosur por vetëm dëme materiale.

Në veri të vendit pati patrullime më të shpeshta të policisë ndërsa në mesditë forcat e rendit u vendosën edhe në “Lagjen e Boshnjakëve” ku edhe kryen një bastisje.

Policia e Kosovës për KALLXO.com tha se bastisja u krye në një lokacion ndërsa nuk pati të arrestuar.

KALLXO.com ju sjell fotografi nga vendi i ngjarjes, nga “Lagjia e Boshnjakëve” dhe zonat tjera të  veriut të vendit.

Foto: KALLXO.com

“Nuk raportohet për të arrestuar, përderisa dy personave iu është lënë ftesë për paraqitje në Policinë e Kosovës, mbi dyshimin e bazuar për ndihmë në kryerjen e veprës penale”, thotë Policia e Kosovës.

Në këtë njoftim të Policisë nuk përmendet nëse aksioni ka të bëj me ndonjërën nga sulmet qe janë bërë në muajin e fundit ndaj veturave të policisë së Kosovës.

Për disa kohë rruga kryesore me të cilën lidhet edhe fshati Zupçe u bllokua pasi që u krye shiqimi i vendit të ngjarjes e u mblodhën prova të cilat dokumentonin sulmin ndaj veturës së policisë.

KALLXO.com ka kontaktuar përmes telefonit edhe me Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.

I njëjti tha për KALLXO.com se hetuesit policorë kanë bërë shiqimin e vendit të ngjarjes.

Ai nuk pranoi të jap detaje në lidhje me hetimin për sulmet me armë e mjetë piroteknike ndaj zyrtarëve policor.

Sipas tij është herët për të dhënë detaje në lidhje me këtë hetim.

Ekipi i KALLXO.com ishte edhe në Bërnjak. Aty u panë që autoblindat e policisë janë vendosur te stacioni kufitar ndërsa në disa raste të njëjtit dilnin patrullonin me autoblinda.

Njësitë speciale janë vendosur tash e disa ditë në stacionet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak pas sulmeve të raportuara ndaj veturave të forcave të rendit.

Fotot të cilat ka siguruar KALLXO.com shihet vrima e krijuar pas gjuajtjes me armë por që nuk kishte depërtuar tutje.