Arrestimet për fajde në Prizren, Foto: KALLXO.com

Pamje nga arrestimi i të dyshuarve për fajde

Disa plane ishin përgatitur për të kryer ndërhyrjen dhe arrestimin në rastin e fajdeve në Prizren.

Aksioni i shtrirë në disa lokacione kishte cak arrestimin e pesë personave të dyshuar, të cilët kishin dhënë fajde ndërsa kërkonin kamatën në shuma të ndryshme.

Në emisionin “Kallxo Përnime” po transmetohen pamje ekskluzive të arrestimit të personave të dyshuar dhe bastisjet të cilat janë realizuar në shtëpitë e të dyshuarve me urdhër të prokurorit Petrit Kryeziu.

Para se të niste aksioni, prokurori kërkoi nga të gjithë hetuesit policorë që të konfiskonin të gjitha provat të cilat mund të përdoreshin në hetimin e mëtejmë të rastit kundër të dyshuarve për fajde në Prizren.

Tre takime që ishin paraparë të ndodhnin në orë të ndryshme kishin për synim të vërtetonin se të dyshuarit merreshin me fajde dhe të njëjtit të arrestoheshin.

Arrestimi i të dyshuarit për fajde, Foto: KALLXO.com

Në fillim të aksionit në pranga u vunë dy të dyshuarit e parë. Njëri nga ta konsiderohej si njëri nga kryesorët e grupit dhe të njëjtit iu gjetën paratë e marra si kamatë nga viktima.

“Aksioni ëshë zhvilluar në tri takime të ndara. Në takimin e parë janë dhënë paratë, kemi reaguar janë arrestuar dy nga të dyshuarit, takimi i dytë ka vazhduar me personin e tretë ku gjithashtu është zhvillu biseda i kemi marrë informatat e duhura që do të na shërbejë shumë për ndërtimin e rastit është vërtetuar plotësisht se personi i tretë është i zhytur në veprimtari të kundërligjshme të fajdesë dhe po ashtu edhe te ky person paratë janë dhënë. Kemi vazhduar prapë me aranzhim të tretë me personin e katërt, edhe te ky rast njëjtë është vepruar janë dhënë paratë dhe personi është arrestuar”, tregon rrjedhën e planit prokurori i rastit.

Paratë e konfiskuara ishin nga fondi i fshehtë i Policisë dhe të gjitha ishin fotografuar në mënyrë që të identifikoheshin.

Prokurori i rastit Petrit Kryeziu tregoi planin që kishte përgatitur për të arrestuar të dyshuarit.

“Këtu kemi bërë planet A, B, C po është dashtë edhe me plan D, por ka qenë vullneti shumë i madh edhe kemi apliku të gjitha mbi 70 për qind të masave të fshehta teknike të vëzhgimit dhe hetimit që i bjen diku 7-8 masa që janë aplikuar në këtë rast ku njëra prej tyre e fundit ka qenë edhe simulimi ku kemi marrë paratë nga fondi i fshehtë i Policisë dhe me ato në bashkëpunim me viktimat kemi realizu takimet janë dhënë paratë dhe janë kapur në flagrancë kryerësit”, tregon Kryeziu.

Prokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, Foto: KALLXO.com

Prokurori Kryeziu theksoi se të dyshuarit për fajde në Prizren nuk kishin bërë ndonjë kërcënim ndaj viktimës për kthimin e kamatës për fajdetë e marra.

“Është interesante që në këtë rast, shumica e tyre nuk kanë bërë detyrime apo kanosje sepse siç duket ata kanë pritur që të rritet kamata, e kanë ditur që viktima e ka prindin e fortë financiarisht për shkak të biznesit dhe duket që nuk i kanë bërë presione të tilla përpos njërit nga ta që ka pasUR edhe detyrim ku e ka paralajmëruar në forma të ndryshme, edhe përmes njerëzve të tjerë por edhe vet personalisht, i ka bërë me dije që do t’ia marrë veturën, që do t’i shkojë në shtëpi”, shtoi ai.

Prokurori theksoi se nëse viktima nuk do të ishte lajmëruar me kohë në Polici dhe Prokurori do t’i kushtonte më shumë.

“Kjo viktimë po qe se kish vazhdu tutje jemi të bindur që do të kishte përfunduar me shkatërrimin edhe të familjes edhe pasurisë në përgjithësi”, vazhdon ai.

Paratë e konfiskuara gjatë aksionit për fajde në Prizren, Foto:KALLXO.com

Prokurori Kryeziu shpjegoi edhe se pse fajdexhinjtë kanë cak personat me gjendje mesatare ekonomike e financiare.

“Jo rastësisht shkojnë te këta njerëz, jo rastësisht i zgjedhin pothuajse viktimat që nuk kanë mbështetje pothuajse familjare sepse ata dinë ku të shkojnë. Nëse shkojnë te dikush që nuk ka të holla s’ka nga i merr ai e di që nuk ka çka nxjerr nga ai, ata i zgjedhin pra këta persona, e zgjedhin kush është, i japin fillimisht një shumë të vogël të parave sa për ta joshur dhe pastaj fillojnë i japin shuma më të mëdha me kamata ma të larta dhe kështu arrijnë të nxjerrin para sepse dihet që kur të vjen fundi, nëse viktima s’ ka të holla familjarët janë ata që bëhen viktima e dytë që duhet me u viktimizu për fëmijën e tyre që të paguajnë kamatat”, tregon prokurori Kryeziu.

Arrestimet për fajde në Prizren ndodhën muajin e kaluar në një aksion të gjerë policor që ndodhi e ku të përfshira ishin edhe njësitet e hetimit, njësitë speciale, njësitë e vëzhgimit por edhe njësia e qenve apo K-9.

Në këtë aksion kishte marrë pjesë edhe prokurori Kryeziu dhe i njëjti kishte vepruar në bazë të planeve të cilat i kishte përgatitur për të njëjtin rast.

Ai shpjegoi se si funksionuan planet e veprimit për të arrestuar të dyshuarit.

“Rasti është aq kompleks, sa që duhet varësisht nga rrjedhja e ngjarjes edhe duhet të ndërrojnë planet. Jo rastësisht sot do të jem së bashku me hetuesit në terren dhe do të jem në pjesën teknike të vëzhgimit ku do ta përcjelli drejtë për drejtë zhvillimin e bisedave mes viktimës dhe të dyshuarit ku presim të shkëmbehen edhe të hollat apo paratë dhe aty do të ndërhyjë me këshilla dhe urdhra se çka duhet të veprohet tutje”, shtoi në fund Kryeziu.