Pamje nga aksidenti ku vdiq 27 vjeçari

Një person ka humbur jetën në një aksident trafiku, i cili ka ndodhur në rrugën ‘Shkelzen Haradinaj’ gjatë ditës së djeshme në Prishtinë.

Policia e Kosovës sot ka njoftuar se në këtë aksident kanë qenë të përfshira dy automjete, vetura e tipit “Golf ” dhe një autobus i tipit Mercedes.

“Si pasojë e këtij aksidenti është lënduar ngasësi i veturës, i cili nuk ka arritur t`i përballojë plagët e shkaktuara nga aksidenti dhe i njëjti, rreth orë 18:00, në QKUK, ka ndërruar jetë, bëhet fjalë për viktimën: R. M. 27 vjeç, mashkull, shtetas Kosovar, (drejtuesi i veturës Golf), vdekja e të cilit është konfirmuar nga ana e ekipit mjekësor në QKUK”, thuhet në njoftimin e policisë.

Lidhur me këtë aksident drejtuesit të autobusit, me urdhër të Prokurorit të shtetit, i është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Ndërkohë që trupi i viktimës është dërguar në Institutin e mjekësisë Ligjore për obduksion.

Gjatë nëntë muajve të këtij viti, në Rajonin e Prishtinës kanë ndodhur 4 mijë e 826 aksidente trafiku prej tyre: 24 aksidente trafiku me pasoja fatale, 25 persona të vdekur, 1 mijë e 484 aksidente trafiku me të lënduar, 2 mijë e 792 persona të lënduar, si dhe 3 mijë e 318 aksidente trafiku me dëme materiale.

Policia e Kosovës ka bërë apel të pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë me përpikëri të gjitha rregullat e kodit rrugorë, në mënyrë që bashkërisht të ndikojnë në uljen e numrit të ngjarjeve aksidentale, uljen e vdekshmërisë në komunikacionin rrugor, e rrjedhimisht ngritjen e shkallës së sigurisë në trafik.