PAMJE - Momenti kur Dardan Krivaqa sillet me pranga në stacionin e Policisë

I dyshuari për vrasjen e vajzës 18 vjeçare në Ferizaj, Dardan Krivaqa është arrestuar sot nga Policia e Kosovës.

Në videon e publikuar nga RTV Dukagjini shihet sesi Krivaqa u soll në stacionin policor i prangosur.

Krivaqa që nga e diela ka qenë në arrati, ndërsa është arrestuar sot rreth orës 12:05 në fshatin Sojevë.

Të dielën në emergjencën e spitalit është sjellë pa shenja jete një vajzë e moshës 18 vjeçare.

Dy persona të dyshuar, pasi kanë sjellë në spital viktimën, janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Njëri nga të dyshuarit është arrestuar të dielën, ndërsa sot është arrestuar edhe i dyshuari i dytë.

KALLXO.com ka siguruar kërkesën e paraburgimit ku janë përshkruar dyshimet e para që quan në vrasjen e tashmë të ndjerës, 18-vjeçare M.O.

Një natë më parë, dhuna kishte filluar ndaj viktimës. Motivet sipas prokurorisë ishin xhelozie.

“Ekziston dyshimi i bazuar se më 22 gusht 2021, rreth orës 15:00, në rrugën “Ramdan Rexhepi”, në Ferizaj, në banesën e të pandehurit D.K., me dashje, në mënyrë mizore për motive të ulëta e keqtrajtuar viktimën”, thuhet mes tjerash në arsyetimin e kërkesës për paraburgim.

Dosja e prokurorisë së 18 vjeçares thotë tutje se ajo u keqtrajtua dy ditë deri në vdekje.

Sipas prokurorisë, gjatë gjithë kohës në vendngjarje ishte edhe i dyshuari tjetër me inicialet A.S. por i njëjti nuk kishte marrë asnjë veprim.