Pamje nga arrestimi në Gjakovë, Foto: KALLXO.com

Polici i Gjakovës shtrihet përtokë dyshohet për baste ilegale

Një polic nga Gjakova pretendohet se është pjesë e një grupi që organizohet lojëra të pokerit në këtë qytet.

Në një reportazh të transmetuar në Drejtësia në Kosovë polici është zbuluar tek krijonte mbrojtje për grupin i cili në komunikime telefonike organizonte lojtarët nga disa qytete të Kosovës për të luajtur poker në Gjakovë.

Hetimi ka zbardhur se polici kishte rënë në kontakt me grupin para disa muajsh kur policia kishte mbyllur lokalin ku luhej kazino ndërsa rihapja ishte kryer nënë ombrellën e policit.

Të dhënat tregojnë se para të majme ishin qarkulluar nga grupi ndërsa lojtarët vinin nga Prishtina, Deçani, Peja e qytete të tjera për të luajtur në këtë lokal.

 

Prokurori i rastit Anton Hasanaj tregoi se si kishte marrë informacionin.

“Ky informacion në pika të shkurtra, dyshohet se zyrtari policor me disa persona të tjerë të Komunës së Gjakovës janë duke organizuar në vazhdimësi në një lokal lojëra të fatit. Kam kontaktuar me hetuesit e IPK-së dhe kemi ardhur në përfundim se është më se e domosdoshme që të zhvillohen masa të fshehta teknike të hetimit dhe vëzhgimit për zyrtarin policor. Gjykata ka bërë lëshimin e urdhrit për zhvillimin e masave të fshehta”, tha prokurori Hasanaj.

Përgjimet zbardhën se lojërat e fatit hapeshin në orën 22 të mbrëmjes dhe vazhdonin deri në orët e mëngjesit.

“Informacionet fillestare janë se në një lokal të njohur tani për ne, janë duke u organizuar lojërat e bixhozit ku ka informata se vijnë nga gjitha rajonet e Kosovës qytetarë për të luajtur bixhoz”, tha Shefi i Divizionit për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në IPK, Bardhyl Haxhimustafa.

Prokurori Hasanaj, tregoi në lidhje me zhvillimin e masave të fshehta.

“Për disa janë javë zhvilluar masat e fshehta nga ana e hetuesve të IPK dhe nga kjo periudhë janë siguruar provat e mjaftueshme që vërtetojnë se zyrtari policor me tre persona të tjerë janë të përfshirë në organizimin e bixhozit. Prokuroria ka zgjeruar hetimin edhe ndaj personave tjerë të dyshuar dhe për të njëjtit është bërë kërkesë për zhvillim të masave të fshehta të hetimit dhe vëzhgimit”, tregon tutje Hasanaj.

Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës, kishin zënë vendet e tyre dhe po vëzhgonin në rast se zyrtari policor do të shfaqej në lokal.

Pasi u kuptua se zyrtari policor kishte hyrë brenda lokalit, IPK kërkoi urdhër nga ana e Prokurorit Anton Hasanaj për bastisje.

Kontrolli fillon ndërsa lojtarët e bixhozit u zunë në vepër deri sa ushtronin këtë veprimtari.

Edhe zyrtari policor ishte në mesin e personave që gjendeshin brenda lokalit ku zhvilloheshin lojërat e fatit ndërsa, të njëjtit fillimisht iu konfiskua edhe një pistoletë.

Pamjet ekskluzive të transmetuara mbrëmjen e sotme në emisionin “Drejtësia në Kosovë” shfaqën edhe bartjen e policit në Stacionin Policor të Gjakovës ku u ndalua me urdhër të prokurorit për 48 orë.

“Arsyet për masën e paraburgimit kanë qenë se të njëjtit kanë kryer veprën penale për çka edhe dyshohen si dhe kam vlerësuar se ekzistojnë edhe nën kushte tjera siç janë ndikimi në dëshmitar pasi që kanë qenë një numër i lojtarëve që janë gjetur në vendin e ngjarjes, po ashtu ka qenë edhe arsyeja, pesha e veprës penale sepse kemi të bëjmë me një zyrtar policor i cili në bashkëpunim me persona të tjerë ka ushtruar veprimtari të kundërligjshme së bashku me disa persona të tjerë”, shpjegon kërkesën për paraburgim, Prokurori Hasanaj.

Nga raportimet që bëri KALLXO.com, u arrestuan dhjetëra persona për shkak se në mënyrë të kundërligjshme organizuan lojëra të fatit në vende të ndryshme të Kosovës.

Arrestimi i policit në Gjakovë u realizua fillimisht pas një informacioni që kishte shkuar në Departamentin e Inteligjencës në Inspektoratin Policor të Kosovës.

Informacionet fillimisht ishin se polici nga Gjakova, garantonte lojtarët e bixhozit me mbrojtje për shkak të pozitës që kishte.